Në rrugët e Durrësit, këto ditë super të nxehta vere, vëmendjen e kalimtarëve e kanë marrë një grup të huajsh, me veshje ceremoniale.

Nuk bëhet fjalë për turistë të zakonshëm, por për një grup pakistanezësh, që kanë udhëtuar nga Anglia për të celebruar një dasmë në Durrës.   

85 pakistanezë që jetojnë në Britaninë e Madhe kanë ardhur në Shqipëri, për të shoqëruar çiftin që ka zgjedhur të lidhë kurorë në bregdetin durrsak.

“Vitin e kaluar duke parë lajmet kam dëgjuar të flitej shumë mirë për Shqipërinë, për Durrësin, Tiranën. Gjithnjë kam dashur të martohem jashtë kështu që menduam, pse jo në Durrës. Kështu që u organizuam dhe erdhëm nga Anglia dhe shpresoj se gjithçka do të shkojë mirë këtu”,– rrëfen për “DurrësLajm” Hasan Jamal, me origjinë nga Pakistani.

Për të organizuar këtë udhëtim me dhjetëra persona në kulmin e sezonit turistik dhëndri Hassan Jamal tregon se nuk ka qenë aspak e vështirë.

“Ne kemi një organizues dasmash që organizoi gjithçka për ne. Udhëtuam së bashku dhe do të kthehemi të gjithë së bashku në Angli.”

Momentet e dasmës mbeten të paharruara në kujtesën e një çifti, ashtu siç do të mbetet edhe Shqipëria.

“Durrësi është një qytet shumë i bukur, Shqipëria është një vend shumë i bukur. Njerëzit janë shumë të mirë, ushqimi është fantastik. Eshtë shumë këndshëm këtu. Padyshim që do të vijmë sërish, jam 100% i sigurt.”

Në boom-in turistik që vendi ynë po përjeton, Durrësi mbetet kryeqyteti i padiskutuar i turizmit. Qyteti që ofron antikitet, vijë bregdetare të pafund, struktura hoteliere mjaft moderne dhe kulinari tepër të larmishme, tashmë po mirëpret edhe çiftet e dashuruara që martesën kërkojnë ta celebrojnë në Durrësin gati 3000-vjeçar.

M.B.