Atmosfera e festave ka mbërritur në qendër të qytetit.

Me mijëra drita vezulluese, pema dhe babagjyshi, por edhe shumë dekore festive zbukurojnë tashmë sheshin “Liria”, por edhe rrugët kryesore dhe hapësirat publike të Durrësit duke e bërë më të ngrohtë dhe më të bukur pritjen e Krishtlindjes dhe natën e ndërrimit të viteve.

Sheshi plot vezullim dritash është si një magnet për të vegjlit, por edhe për të rriturit i shijojnë jo pak.

Ndryshe nga tradita e viteve të fundit, këtë fillim dhjetori mungoi ceremonia zyrtare e ndezjes së dritave të pemës së Krishtlindjes, por gjithsesi kjo nuk e zbehu gjallërinë në shesh.

Madje edhe për të huajt, apo durrsakët që jetojnë jashtë, Durrësi i këtij fundviti është një kartolinë e bukur festash.

“Është bërë shumë bukur Durrësi. E kam parë edhe vjet në janar, por tani ka më shumë drita. Shumë punë e mirë është bërë.”

“Na pëlqen shumë qyteti tani. Ne jetojmë prej muajsh këtu dhe në këtë periudhë është dekoruar shumë bukur. Do e reklamojmë Durrësin edhe tek miqtë tanë në Itali”,– na rrëfen një çift italian.

Përveç llamburitjes së më shumë dritave, babagjyshit në shesh dhe institucionet vendore si bashkia apo prefektura, dekori duket i ngjashëm me atë të viteve të kaluara. Gjë që e vënë në dukje edhe disa nga qytetarët.

Në festat e fundvitit nuk mungojnë asnjëherë urimet për më shumë mbarësi e begati. Ato nuk mund të mungonin as për mikrofonin tonë.

M.B.