Kukësi luan një finale të vërtetë me Teutën të shtunën në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Jo vetëm se përballë ka një rival direkt për mbijetesën, por sepse pas 21 javësh kampionat janë në kuotë të barabartë pikësh (25), ndërsa durrsakët janë skuadra që u kanë bërë më shumë “dëme” verilindorëve këtë sezon.Për këtë arsye, në Kukës janë duke i dhënë seriozitetin e duhur kësaj ndeshjeje, për të dalë me një fitore të shtunën.Rezultatet e javëve të fundit kanë rikthyer optimizmin te verilindorët, të cilët tani në çdo fushë dhe përballë çdo kundërshtari hyjnë në lojë për të arritur maksimumin.

Pikërisht pas barazimit në javën e katërt në Durrës dhe humbjes në javën e 13- të në Kukës, kanë ardhur edhe dorëheqjet e dy trajnerëve të Kukësit pas ndeshjeve me Teutën këtë sezon.Fillimisht ishte Skënder Gega që la në mes aventurën me blutë dhe më pas Enkeleid Dobi, pikërisht pas rezultateve negative të koleksionuara me “djemtë e detit”.Në një farë mënyre, verilindorët kanë “hesape” për të larë në këtë duel, përpos faktit që u duhet fitorja për t’iu larguar zonës së rrezikut dhe të nisë ngjitjen më tej në klasifikim.Mbetet për t’u parë nëse tani me Rrahman Hallaçin në krye do t’ia dalin të thyejnë durrsakët, edhe pse në rast të mosmarrjes së një fitoreje, nuk ka shanse që tekniku të vërë në rrezik pankinën, sepse me rezultatet e arritura deri më tani ka ecur me hap pretendenti.

Nëse në duelin e përgjithshëm në 50 takime midis tyre, Kukësi kryeson me 20 fitore, 16 barazime dhe 14 humbje, vitet e fundit është Teuta ajo që ka dominuar në sfidat midis njëratjetrës.Së pari, Kukësi ka 12 ndeshje radhazi që nuk e provon shijen e fitores me Teutën, teksa e fundit daton më 11 korrik të 2020-ës, kohë kur ishte kulmi i pandemisë. Atë përballje verilindorët e fituan me rezultatin e pastër 3 me 0. Mirëpo, akoma më e vështirë duket situata për ndeshjet e Kukësit në Durrës, aty ku për herë të fundit ka fituar para 5 vitesh, më 15 shtator të vitit 2018.

Blutë fitonin minimalisht në shifrat 0-1, me një gol të Rexhinaldos dhe që nga ajo kohë herë kanë dalë të mundur nga “Niko Dovana” dhe herë kanë barazuar, duke mos e provuar shijen e trepikëshit.Me pak fjalë, durrsakët janë një “mace e zezë” për ekipin që drejtohet nga Rrahman Hallaçi, i cili përpos të gjithave duket se ka kundër edhe shifrat në përballjen e së shtunës.Gjithsesi, në situatën ku ndodhen aktualisht verilindorët, të cilët kanë pasur një ecuri pozitive nën drejtimin e teknikut të ri, optimizmi është i madh se do ta thyejnë më në fund edhe tabunë e kësaj transferte delikate dhe t’i japin fund ecurisë negative me këtë kundërshtar.