Nga një vëzhgim që DurrësLajm bëri pasditen e sotme në disa lagje të qytetit, konstatoi se thuajse të gjithë kazanët e mbeturinave urbane ishin të tejmbushur.
Në shumë raste, mbeturinat dergjeshin përtokë, duke e bërë situatën edhe më të rëndë.
Ndërsa qytetarëve u bëhet apel nga qeveria që të tregojnë kujdes të shtuar për higjenën personale, në kuadër të masave strikte të marra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, vendgrumbullimet e mbeturinave janë plot e përplot.
Madje, sipas banorëve të zonës, në shumë raste ato tërhiqen një herë në dy ditë, duke kontribuuar kështu në rritjen e shkallës së ndotjes në qytetin bregdetar.
Banorët ankohen se imazhi i kazanëve të tejmbushur të mbeturinave i shoqëron në çdo orë të ditës, sapo dalin nga shtëpia.
Me ardhjen e pranverës dhë rritjen e temperaturave, ekspozimi për një kohë të gjatë i mbeturinave pranë objekteve të banuara e bën gjendjen edhe më alarmante.
Pastrimi i qytetit është kompetencë e Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit, në varësi të bashkisë Durrës. Publikimi i këtyre fotove mund t’u sjellë në vëmendje pushtetarëve vendorë se Durrësi meriton të jetë një qytet i pastër, e jo një qytet turistik me kazanët plot e mbeturinat e përhapura kudo.





