Ish-kryeministri, Sali Berisha po mban një konferencë për mediat, ku po prezanton fituesit e primareve të ditës së djeshme, që Komisioni i Rithemelimit të PD-së do të garojë në zgjedhjet e 6 marsit.
I pranishëm në konferencë është edhe fituesi i primareve në Durrës, urbanisti Ardian Muka.
Në fjalën e tij, Muka, pasi falenderoi demokratët e bashkisë Durrës që e votuan masivisht, premtoi se më 6 mars qyteti do t’i kthehet qytetarëve.
“Desha gjatë fjalës sime përshëndetëse të përgëzoj të gjithë demokratët e qytetit të Durrësit, Ishmit, Katundit të Ri, Sukthit, Manzës, Rrashbullit të cilët në primaret e djeshme shprehën me votën e tyre në një proces jashtëzakonisht transparent, të vërtetë dhe demokratik vlerat më të mira qytetare dhe demokratike.
Sfida jonë në Durrës është pak e veçantë, pasi është një qytet që prej 22 vitesh neve nuk e kemi si forcë e djathtë dhe këtë e shprehim në revoltën që shoh në sytë e shumë qytetarëve, që na kërkojnë dita-ditës kur qyteti do të administrohet për qytetarët.
Besoj se PD me këtë proces që bëmë me mbështetjen edhe të forcave të koalicionit në Durrës, do t’ia kthejë qytetin qytetarëve. Kjo është një bindje, kërkon punë, kemi kohën kundër por jam I bindur 100% se kësaj radhe Durrësi do të jetë i qytetarëve”,- tha Muka.

Ndërsa kryeministri Berisha deklaroi se pas më shumë se 2 dekadash që qyteti qeveriset nga një “peshkaqen”, atij do t’i tregohet vendi.
“Prej 20 vitesh Durrësi është viktimë e një peshkaqeni, por që tani do t’ia tregojmë vendin Gjushit”,- tha Berisha.





