DURRES, 12 qershor 2013 – Fushata elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit duket se është në kulmin e saj. Partitë politike, nëpërmjet kandidatëve për deputet, vijojnë prezantimin e programeve të tyre para elektoratit durrsak, ndërsa paralel me të, kanë nisur të veshin qytetin bregdetar me simbolet e partive.
Në çdo shesh, rrugë parësore apo dytësore, janë vendosur flamuj, banera apo postera elektorale. Harmonizimi i vendosjes së materialeve promocionale të forcave të ndryshme politike, në Durrës është mjaft i dukshëm.
Aty ku është vendosur një simbol i partisë Demokratike, qëndron dhe një simbol i partisë Socialiste, apo edhe partive të tjera, pjesë e fushtës elektorale. Por, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, dekoret elektorale janë më të vakta, kryesisht në qendrën e qytetit bregdetar.
Pikërisht në këtë shesh të vetmet simbole të vendosura deri më tani, janë ato të partisë Levizja Socialiste për Integrim, Alencës Popullore si dhe partisë Drejtësisë Integrim e Unitet, të vendosura me rastin e çeljes së fushatës elektorale në Durrës.
Për të ruajtur rendin e qetësinë publike, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës ka hartuar një plan masash. Uniformat blu janë prezent jo vetëm në çdo takim elektoral, por edhe në ruajtjen e materialeve promocionale të forcave të ndryshme politike.
Vijueshmëria e deritanishme e fushtatës elektorale në qytetin bregdetar, sipas policisë vijon qetësisht dhe pa incidente, ku deri më tani nuk raportohen akte vandalizmi ndaj zyrave elektorale të subjekteve a kandidatëve të ndryshëm, apo heqje të dhunshme ose pengim për vendosjen e simboleve partiake në ambjente publike.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





