Pavarësisht pandemisë, Durrësi mbetet një port i rëndësishëm për jahtet turistike, madje edhe për ata super luksozë, prodhime të viteve të fundit dhe në pronësi të miliarderëve.
Në periudhën maj-qershor, 18 mjete lundruese turistike kanë prekur portin më të madh në vend, për t’u furnizuar me karburant, ujë dhe ushqime. Ndërsa për rreth 3 muaj personat që ndodheshin në bord nuk mund të zbrisnin në tokë, Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, më datë 17 qershor, me urdhërin nr.183, lejon tashmë vizitat në qytetin bregdetar dhe në qytetet e tjera shqiptare të personave që udhëtojnë me këto mjete turistike.
Për kapitenin e portit të Durrësit, Tauland Allka, ky sezon, pavarësisht vështirësive, pritet të jetë pozitiv.
“Këto numra të regjistruar dy muajt e fundit na japin shpresë që jahtet do të vazhdojnë ta frekuentojnë portin e Durrësit jo vetëm për çmimin e ulët të karburantit dhe vajrave lubrifikantë, por edhe për të vizituar atraksionet e qytetit. Jahtet kanë një taksë shumë të ulët, gjë që na favorizon krahasuar me portet e tjera të rajonit. Nëse numri i tyre do të shtohet do të japin impakt edhe në ekonominë e qytetit”,– thotë Allka për DurrësLajm.
Në dy javët e fundit kanë qenë tre jahte superluksoze që kanë zgjedhur portin e Durrësit për të bërë furnizimin në bord. “Aquijo”, “Tanusha” apo “Trident” qëndruan të ankoruar për disa orë në kalatat portuale gjatë muajit qershor. Vitin e kaluar, porti i Durrësit u vizitua nga rreth 400 jahte turistike, të cilat qëndruan mesatarisht 3 ditë në qytetin bregdetar.
Ndërkohë, problem mbeten krocerat, të cilat vitet e fundit e kishin futur portin e Durrësit në itinerarin e tyre. Pandemia ka bërë që ky aktivitet të jetë ende i bllokuar dhe ndoshta përgjatë këtij viti, asnjë krocerë nuk do të vizitojë portin më të madh në vend.
M.B.





