Përmbytjet dhe reshjet e shiut i kanë lënë vendin të ftohtit të acartë pasi Durrësi sot është zgjuar i “ngrirë”.

Kjo është pamja nga sheshi qendror i qytetit mëngjesin e kësaj të hëne, ku shatërvanët janë të mbuluar nga ngrica, pas uljes së ndjeshme të temperaturave.

Sot priten kushte të paqëndrueshme atmosferike në territorin e vendit. Në zonat e Veriut, Lindjes dhe Juglindjes, në lartësitë mbi 600 metra mbi nivelin e detit, reshjet do të jenë në formë dëbore, duke sjellë kushte tipike dimërore, veçanërisht në zonat malore.

Sa i përket temperaturave, Instituti i Gjeoshkencave thote se ato do të shënojnë vlera të ulëta. Në zonat bregdetare, temperaturat minimale dhe maksimale do të luhaten nga 0 deri në 5 gradë Celsius. Në zonat e ulëta pritet që temperaturat të zbresin deri në -3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nuk do të kalojnë 5 gradë. Në zonat malore, temperaturat do të jenë më të ulëta, me vlera minimale deri në -10 gradë dhe maksimale rreth -1 gradë Celsius.

Era do të fryjë e lehtë deri mesatare në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në zonat bregdetare dhe malore pritet të jetë mesatare deri e fortë.