Teksa numri i të prekurve nga koronavirusi vjen duke u rritur, durrsakët tregohen indiferentë ndaj masave që duhen zbatuar rigorozisht, edhe pse ky virus ka prekur një person në Durrës, ndërsa dyshohen disa të tjerë.
Nga një vëzhgim në lagje të ndryshme të qytetit dhe përgjatë rrugës “Egnatia”, paraditen e sotme, pamë që qarkullimi vijon normalisht si më parë, ndërsa diferencë bëjnë disa këmbësorë që kanë vënë maskën mbrojtëse. Numri i tyre për hir të së vërtetës është më i lartë sesa ditët e mëparshme.
Ndërkohë të shumtë ishin ata që vazhdojnë të mos heqin dorë nga kafenetë dhe pse në mbledhjen e djeshme të qeverisë u morën masa drastike për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, sidomos lëvizjeve dhe spostimeve të panevojshme.
Distanca mes tavolinave nëpër lokale vijon të jetë e njëjtë, pra shumë afër njëra-tjetrës duke mos respektuar një tjetër rregull kryesor për mbrojtjen nga ky virus. Qeveria dje deklaroi se distanca mes tavolinave në lokale e restorante duhet të ishte 2m, por siç duket qartë në fotot e mëposhtme në shumë lokale kjo nuk respektohet aspak, madje njerëzit grumbullohen edhe 4-5 veta në një tavolinë. Madje në lokale nuk mungonin edhe të moshuarit, që janë ata që rrezikojnë më shumë nga kjo sëmundje.
Ndonëse një ditë më parë, ministrja Ogerta Manastirliu tha se pensioni të moshuarve do t’u dërgohet në shtëpi, pensionistët e Durrësit sot janë shfaqur në radhë nëpër pikat postare.
Siç duket edhe ne foton e shkrepur në filialin e Postës Shqiptare, në lagjen nr.3 të Durrësit, qytetarët presin në radhë në derën e postës, në të cilën punonjëset kanë shkruar me shkrim dore:
“Qytetarë, për shkak të koronavirusit pensionet do jua sjellim në shtëpi”, ndërsa kanë vënë ne dispozicion edhe dy numra telefoni.
Nga ana tjetër edhe njësitë private të shërbimit nëpër Durrës (dyqane, butikë, pastiçeri etj), vijojnë punën normalisht. Bizneset durrsake që ende se kanë marrë veten nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit ishin sot të gjitha të hapura, në pritje të klientelës.
Dhe në fund por jo e fundit nga rëndësia, higjiena e qytetit.
E frikshme por e vërtetë, koshat e mbeturinave janë plot dhe çdo masë tjetër mbrojtëse ndaj koronavirusit, shembet përtokë si plehrat që shihni në fotot e shkrepura në lagjen nr.17, pranë markatës.
Qytetarët për të dytën ditë radhazi denoncojnë në redaksinë e “DurrësLajm” këtë situatë alarmante siç thonë dhe vetë ata, pasi mbeturinat në shumë lagje të Durrësit nuk merren, por qelben trotuarëve.
Duke qenë se Bashkia e Durrësit filloi me dezinfektimin e rrugëve mbase punonjësve do t’iu hyjë në sy kjo situatë dhe do të lajmërojnë kolegët e Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit se kanë punë për të bërë!!!





