“DurrësLajm” ka siguruar foto ekskluzive nga siti arkeologjik i zbuluar në kantierin e ndërtimit të shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi”.

Në fotot e dërguara nga arkeologia e licensuar Iris Pojani, që ka ndjekur nga afër të gjithë procesin e gërmimit, duken qartë fragmentet e mureve rrethuese, të cilat datojnë që në shekujt IV-III p.e.s.

Në komunikimin e saj telefonik me “DurrësLajm”, Pojani theksoi rëndësinë e këtij siti të ri arkeologjik, i cili mund të përfshihet ndër zbulimet kryesore të realizuara në qytetin bregdetar në 30 vitet e fundit.

Në përgjigje zyrtare që UNDP dërgoi një ditë më parë foli për gjetje qeramike, metali dhe qelqi, të cilat janë inventarizuar dhe do t’i nënshtrohen një procesi analize dhe vlerësimi të specializuar.

Këtë e dëshmojnë më së miri edhe këto vazo antike të nxjerra nga siti arkeologjik, që po publikojmë më poshtë.

Arkeologia Pojani pohon se për zbulimin në fjalë është hartuar një raport i detajuar që është dorëzuar pranë Ministrisë së Kulturës, ndërkohë, për vetë rëndësinë që ai ka, Instituti Kombëtar për Trashëgiminë Kulturore mori vendim më datë 3 qershor 2022 për ruajtjen e gjetjeve arkeologjike.

E gjithë hapësira në fjalë është pjesë e zonës arkeologjike A të qytetit 3000-vjeçar dhe gjetjet e deritanishme mund të jenë vetëm fillesat e një zbulimi edhe më të rëndësishëm që mund të dalë në dritë në vijim.

Gjurma e shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi” do të spostohet në anën veriore të territorit të institucionit arsimor dhe për këtë arsye UNDP po punon mbi një projekt të ri.

Siti arkeologjik ndodhet pranë një nekropoli të lashtë, të zbuluar kohë më parë, ndërkohë që ndodhet shumë pranë kodrës së Dautës, ku gjetjet arkeologjike të dala në dritë prej vitesh dëshmojnë se ajo është një  prej vendeve të shenjta të Durrësit antik.

Mijëra statuja të vogla prej balte të pjekur u gjetën në këtë kodër në një zbulim masiv të bërë në vitin 1970 nga arkeologu Vangjel Toçi. Ndër vite arkeologët kanë folur për sanktuarin apo tempullin e perëndeshës Artemis, që ngrihej aty në lashtësi.

M.B.