Durrës, 1 shtator 2014 – Numri i kufizuar i tualeteve publike, si dhe derdhja e ujërave të zeza në zona të ndryshme të Adriatikut vijon të shkaktojë ndotje detare dhe infeksione të lëkurës te pushuesit.
Krahasuar me një vit më parë ndotja detare paraqitet në nivele më të ulta në plazhin e madh të Durresit për shkak të investimeve të kryera në rrjetin e kanalizimeve.
Por në grykëderdhjen e Lumit Ishëm, atë të Tarinit, në Plepa, Shkëmbin e Kavajës, Golem dhe Malin e Robit përqëndrimi baktereologjik i ujërave detare është i lartë, ndërsa Currilat dhe shëtitorja bregdetare kanë dalë nga harta e zonave të ndotura.
Nga vezhgimi i bere nga Top Channel rezulton se ndotja ka regjistruar edhe këtë sezon një numër të lartë shqetësimesh, kryesisht dermatite te pushuesit, veçanerisht te ata që zgjodhën plazhet e zonave bregdetare ku nuk janë ndërtuar ende rrjetet dytësore të kanalizimeve.
“Më problematike si zona janë nga Shkëmbi i Kavajës drejt Golemit ku poshtë kësaj zone për në drejtim të Durrësit është disi më i pastër për shkak të punimeve që janë bërë me impiante dhe bllokimi i derdhjeve në kanal”, deklaron Grei Malo, mjek i urgjencës së Qendrës së Vullnetareve.
E përmiresuar deklarohet nga mjekët situata krahasuar me vitet e shkuara në plazhin e madh të Durrësit.
Ky sezon turistik është drejt fundit, por sezoni i ardhshëm vjen shpejt ndaj është koha për të vijuar me masat dhe investimet për të mundësuar pushime më të shëndetshme dhe të sigurta buzë Adriatikut.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





