Kategoria Superiore për Teutën do të ngrejë siparin në datën 30 gusht me supersfidën Partizani-Teuta, që pritet të tregojë në njëfarë mënyre edhe forcën e të dyja skuadrave në këtë start sezoni. Teuta do të luajë të shtunën kundër Partizanit, ndeshje e vlefshme për javën e 2-të, por të parën në Superiore pas shtyrjes së ndeshjes me Dinamon. “Djemtë e Detit” kanë nisur përgatitjet nën urdhrat e trajnerit Dobi. Për këtë sfidë janë të gatshëm të gjithë lojtarët.
Në sfidën e parë, e cila do të jetë në transfertë përballë Partizanit, Teuta do të synojë fitoren për të vijuar dhe treguar edhe njëherë se është skuadra pretendente. Atmosfera është e mirë, në këtë klub ekziston besimi se ekipi do t’ia dalë. Edhe në të shkuarën, durrsakët kanë treguar se dinë të fitojnë, por tani kanë ndeshjen me Partizanin dhe kusht i vetëm për këtë 90- minutësh është që të bëjnë më të mirën e mundshme.
Ndaj Partizanit duhet një fitore me zemër, pasi skuadra duhet të tregojë se rezultatet e fundit pozitive nuk kanë qenë rastësi. Tashmë prej javësh përgatitje, “Djemtë e Detit” janë në rrugën e duhur për të arritur objektivin primar, që shihet si një detyrim mëse i realizueshëm për diferencën me të tjerët.
Skuadra ka punuar më së shumti në lojë, teksa Dobi e ka ndarë grupin në dy pjesë. Ra si zakonisht në sy loja e fortë e skuadrës, ku të gjithë futbollistët prej kohësh po kërkojnë një vend titullari dhe po mundohen t’ia mbushin mendjen trajnerit se ata janë të duhurit për 11-shen e parë. Tashmë synohet fitorja dhe aq më tepër që përballë kanë një ekip si Partizani, ndaj Dobi bashkë me të besuarit e tij do të hyjnë në fushë për të marrë 3 pikët. E vështirë, por jo e pamundur. Gjithsesi, në Durrës janë duke e vlerësuar maksimalisht kundërshtarin e radhës.
AFRIMET – Gati një muaj kohë për përshtatjen e afrimeve në Durrës, për prurjet e Teutës tashmë është koha që të tregojnë se vlejnë për projektin e klubit. Zela, i ardhur me premtimin për të bërë bomberin kryesor pas largimit të Tomës, pritet të jetë gati për sfidën me Partizanin, ku duhet të kënaqë pritshmëritë e afrimit që shpresohet të zgjidhë problemin e golit.
Besimi nuk i ka munguar, ndërsa sulmuesi me portën mbetet i paprovuar, ku duhet të shfaqë aftësitë e tij ndoshta që nga ndeshja me Partizanin, një kundërshtar që nuk shquhet për një mbrojtje hermetike. Përgjoni dhe Toli po tregojnë se do të jenë një dyshe tepër e fortë për kundërshtarët, ku të dy kanë bindur me performancën e tyre. Partizani do të jetë një provë e rëndësishme për të besuarit e Dobit, të cilët janë gati për ta nisur mbarë sezonin.





