Itali, 4 prill 2014 – Besnik Adrian Plaku, 37 vjeç dhe Xhevdet Plaku, 37 vjeç (i mbiquajtur Deti) u shpallën të pafajshëm nga gjykata e Savonës. Së pari, në gjykatë u rrëzua akuza për vrasjen e Sali Rrapit, 32 vjeç dhe plagosjen e rëndë të Alfred Hasës. Ranë gjithashtu dy akuza për shfrytëzim prostitucioni si dhe armëmbajtje pa leje. I ndjeri Rrapi u vra me dy plumba pistolete kalibër 7,65 mm. Faktikisht kjo armë nuk u gjet kurrë. Dëshmitari Alfred Hasa, pasi doli nga spitali, u zhduk pa lënë gjurmë, kështu që dëshmia e tij nuk mund të konfirmohej në sallën e gjyqit.
Gjykata e Savonës urdhëroi lirimin e menjëhershëm nga burgu të dy shqiptarëve. Në fakt u lirua vetëm Xhevdeti, i ekstraduar nga Holanda, sepse Besniku nuk ishte kapur kurrë nga drejtësia italiane. Policia italiane për herë të fundit e kishte identifikuar Xhevdet Plakun si banor të lagjes nr. 15 në qytetin e Durrësit në vitin 2003, kur ai u përfshi në një shkëmbim zjarri me motive hakmarrjeje. Kolegët shqiptarë besojnë se hakmarrja ndodhi për shkak të një vrasje të dyshuar si të kryer nga Xhevdeti në Torino.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





