DURRËS, 29 maj 2013 –Biçikleta si sport, mjet transporti, argëtimi, kalitjeje fizike dhe mbrojtje mjedisi.
Me moton “Jetoje jetën, Jetoje natyrën, Gëzoje sportin, Fitoje aventurën”, më 28 maj, ora 11:00, qendra “Art dhe Bamirësi” organizoi garën e parë me biçikleta në rang qyteti në Durrës të titulluar “Mos luaj me jetën, luaj me lojëra”, njoftoi Denisa Qypi, drejtore e qendrës.
Kjo veprimtari u mbështet nga qendra komunitare “Sot për të ardhmen”, universiteti “Aleksandër Moisiu” dhe “EcoVolis”.
Gara mblodhi shumë të rinj e të reja si konkurrentë dhe të gjitha grupmoshat si spektatorë në itinerarin universiteti “Aleksandër Mojsiu”-bulevardi “Epidamn”-sheshi “Liria”.
Fitues dolën Adri Kasmi, Andi Tafili, Ardit Qypi.
Ky projekt synon sensibilizimin e te rinjve për t’u marrë me sport dhe jo me drogë; ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi dëmin që shkakton ndotja e mjedisit në shëndetin e tyre dhe mbi natyrën; edukimin e opinionit mbi nevojën e përdorimit të biçikletave si një mjet transporti, tha Qypi.
Në fund për pjesëmarrësit u organizua një party po nga qendra “Art dhe Bamirësi”.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





