Në fillimin e pandemisë në vendin tonë, të gjeje maskë mbrojtëse, doreza apo dezinfektant nëpër farmaci ishte një fat i madh!

Çmimet e produkteve kyç për t’u mbrojtur dhe penguar përhapjen e koronavirusit u rritën, dhe sasia e tyre ishte e paktë.

Sot, “DurrësLajm” ishte në një ndër farmacitë e qytetit bregdetar. Farmacistja Ersida Koni tha se piku i blerjeve (maskë, doreza, dezinfektant) ka qenë në muajin mars, kur në Shqipëri u regjistruan të infektuarit e parë.

Ajo tregon se në atë periudhë janë përplasur jo pak me blerësit për shkak të rritjes së çmimeve, ndonëse sipas saj kjo gjë nuk po ndodhte për shkakun e farmacive.

“Kujtonin se rritja e çmimeve bëhej nga ne, pavarëssisht se ne çdo gjë e kishim me faturë, ndërkohë që rritja e çmimeve bëhej nga depot farmaceutike dhe jemi përplasur e ndeshur me shumë fjalë.”

Koni shprehet se aktualisht që nuk ka më mungesa të produkteve, blerjet nga qytetarët durrsakë janë ulur. Ndërsa përsa i përket çmimeve, maskat dhe dorezat vazhdojnë të shiten shtrenjtë. 

“Nuk ka më mungesa, kemi dhe dezinfektantë, kemi edhe doreza por blerjet janë ulur. Kjo maska kirurgjikale dikur blehej 200 lekë, tani blihet 1000 mijë lekë.  Çmimi i maskave vazhdon të jetë i lartë edhe i dorezave me ngjyrë.”

Grupmosha që tregohet më e kujdesshme për t’u mbrojtur nga infektimi është mosha e tretë, të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme, ndërsa të rinjtë e qyteti bregdetar, blejnë sepse janë të detyruar, thotë farmacistja.

“Mosha e tretë sepse vuan nga sëmundje të ndryshme, si diabet, zemër, tension. Fillojnë blejnë vitamina C për rritje imuniteti, paracetamol. Dmth i marrin këto masa për të qenë të mbrojtur. Ndërsa të rinjtë janë të detyruar kur hyjnë nëpër supermarkete, parukeri (ambiente të mbyllura) dhe duan s’duan do t’i blejnë. Edhe dezinfektantët, sidomos ato të vegjlit marrin.”

Por kush janë ilaçet më të shitura gjatë periudhës së pandemisë?

Padyshim çdo medikament që ka të bëjë me mbrojten nga koronavirusi; si vitamina C, vitamina D3, paracetamol, sherup të ndryshme etj. Farmacistja Koni tregon se në këtë listë janë shtuar edhe ilaçet kundër stresit.

Numri i viktimave dhe të infektuarve në vendin tonë sa vjen e rritet, ndaj të gjithë qytetarët duhet të ndërgjegjësohen dhe të mos rrezikojnë jetën e tyre dhe të të tjerëve përreth, duke respektuar masat mbrojtëse dhe distancimin social!

G.D.