28 tetor 2015 – Pak ditë nga mbyllja e aplikimit për Lotarinë Amerikane, në të gjtha pikat e hapura në Durrës vihet re një dyndje e madhe qytetarësh. “DurrësLajm”, gjatë vëzhgimit vuri re se në Durrës janë mijëra persona që kanë aplikuar prej 1 teorit kur është hapur lotaria, ndërsa fluksi ka ardhur në rritje kryesisht gjatë ditëve të fundit. Janë të gjitha moshat pa përjashtim që aplikojnë për t’u bërë pjesë e lotarisë DV 2017. Madje në disa pika ka edhe radhë.
“Duam të ikim, këtu jemi pa punë, pa të ardhme dhe të ikësh në Amerikë, është plotësimi i një ëndrre. Aplikova për të gjithë familjen dhe me shpresë që do ikim”, shprehet Albert D., banor i lagjjes 13.
“Unë jam student, dhe të iki në Amerikë, është ëndrra e plotësuar. Ka shumë aplikantë dhe kam pritur gati 1 orë këtu”, shprehet një student.
Në zyrat e hapura kryesisht nga noterët dhe avokatët, për të ndihmuar qytetarët në aplikimin e Lotarisë Amerikane, bëhet me dije se si asnjë vit tjetër fluksi i kërkesave për aplikim është shumë i lartë.
“Po punojmë edhe pasditeve pasi ka shumë njerëz që duan të ikin. Aplikojnë me shpresën se do të jenë fitues të lotarisë. Nuk ka dallim moshe. Të gjithë e veçanërisht të rinjtë aplikojnë për të ikur. Ata që plotësojnë kriteret nuk kanë pasur asnjë dyzim në mbushjen e formularit”, pohojnë përgjegjësit e këtyre zyrave.
Aplikimi
Të gjithë shtetasit shqiptarë që kërkojnë të bëhen pjesë e “ëndrrës amerikane” mjafton të aplikojnë në faqen e internetit: www.dvlottery.state.gov, për të plotësuar dëshirën e tyre, që të marrin Green Card-in ose thënë ndryshe “Kartën Jeshile”. Amerika ka hapur dyert për të pritur shtetasit shqiptarë, por edhe të tjerë nga e gjithë bota. Ajo mundёson viza për një grup emigrantёsh tё njohur si “emigrantë të shumёllojshmërisë” prej vendeve me shkallë historikisht të ulët emigrimi në Shtetet të Bashkuara. Pёr vitin fiskal 2015, do të jenë në dispozicion 50,000 viza emigrantësh të shumëllojshmërisë (DV). Ndërsa regjistrimi për programin e lotarisë është falas. Në faqen e mësipërme, ata duhet të plotësojnë formularin online, duke deklaruar të sakta të gjitha gjeneralitetet që kërkohen. Periudha e aplikimit për Lotarinë Amerikane (Viza e Shumëllojshmërisë – DV) pёrfundon nё orën 12:00 të datës 2 nëntor 2015.
Njëkohësisht, rregullat dhe udhëzimet në gjuhën shqipe gjenden në faqen e internetit të Ambasadës: albanian.tirana.usembassy.gov/
/K.H. portali DurresLajm/