Të shumtë janë qytetarët durrsakë të cilët i janë bashkuar nismës vullnetare për të dhënë ndihmë për Kejsin e vogël. 9 vjeçarja është duke luftuar me jetën në një prej spitaleve italianë prej datës 9 shtator. Mësuesit kanë bërë me dije ditën e sotme, se mjekët italianë kanë përcaktuar diagnozën e vogëlushes.

Mikrobi i stafilokokut i ka kaluar në gjak nëpërmjet bajameve, dhe sëmundja me të cilën po lufton vogëlushja është vdekjeprurëse.

Mikrobi i ka kaluar gjatë kohës që Kejsi Prizrendi ishte duke u kuruar për infeksion bajamesh në pediatrinë e Tiranës, ndërsa mjekët e vendit tonë i përcaktuan si diagnozë, sindromën “Jonson” e cila prek 1 në 10 000 000, njerëz. Ky mikrob, i ka prekur shumë organe dhe njëkohësisht i ka dëmtuar lëkurën e trupit, në pjesën më të madhe.

Nëna e saj, Albana e cila komunikon me mësuesit e vogëlushes, ka treguar se gjendja e vajzës së saj është shumë kritike.  Vajza po lufton me një prej baktereve më të këqij i cili i ka hyrë në gjak.

Ndërsa pritej që vogëlushja të niste klasën e katërt me fëmijët e tjerë në shkollë, prindërit e kanë dërguar me urgjencë për mjekim të specializuar në Itali.

Në mungesë të të ardhurave prindërit e saj kanë bërë apel për ndihmë, nga kushdo që ka mundësi t'i ndihmojë për vajzën e tyre, shërimi i së cilës është i gjatë dhe mjaft i kushtueshëm.

K.H.