Teuta përfundoi fazën përgatitore në Pukë dhe u rikthye në Durrës pas miqësores në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës kundër Vllaznisë. Për 14 ditë skuadra durrsake ka qenë e akomoduar në Pukë, në një prej hoteleve më luksozë të zonës, ndërsa stërvitjet i zhvilloi në stadiumin “Ismail Xhemali”. Gjatë qëndrimit në Pukë, Teuta zhvilloi edhe tri ndeshje miqësore, ku regjistroi një fitore, një barazim dhe një humbje.
Nga e hëna e 5 gushtit, ekipi do të përgatitet në kuadër të javës së parë të kampionatit. Të mërkurën është projektuar testi i radhës, teksa këtë herë durrsakët do të luajë në shtëpi kundër Laçit. Më 18 gusht, kur nis edhe kampionati, Teuta pret Bylisin në stadiumin “Niko Dovana” dhe deri atëherë Martini shpreson që të ketë në dispozicion të gjithë grupin.
Teuta mund të thuhet se është në kulmin e merkatos së verës. Klubi kërkon t’i ofrojë trajnerit Edi Martini një ekip sa më kompetitiv për sezonin e ardhshëm në Superiore, që të jetë i denjë për të synuar vendet e para. Ka pasur lëvizje deri tani në fakt, kanë ardhur disa lojtarë, por këto ditë do të ketë të tjera përforcime, të paktën për sulmin.
Ndoshta zyrtarizimi i afrimeve të radhës te “Djemtë e detit” do të bëhet javën e ardhshme. Me skuadrën durrsake janë bashkuar deri tani lojtarë si Ardit Peposhi, Reçi, Selita dhe Marku në mbrojte, Emiljano Vila dhe Torraj në mesfushë dhe sulm, por puna ka vazhduar për të kërkuar elementë të tjerë.