19 shtator 2015 –  Një familje në Durrës, me 3,7 pjesëtarë, në vitin 2014, ka harxhuar mesatarisht për konsum 68 083 lekë në muaj, kurse një familje gjirokastrite, me 3,5 pjesëtarë, ka harxhuar 74 293 lekë. Kështu thotë INSTAT-i në “Anketën e buxhetit të familjes, janar-dhjetor 2014”. Madje, qarku i Durrësit është nën mesataren e Shqipërisë, e cila është 69 442 lekë. Dhe si për t’i vënë kapakun, mbi durrsakët nuk janë jo vetëm tiranasit, të parët, me 81 656 lekë; por të dytët renditen lezhjanët me 78 811 lekë; shkodranët, të tretët me 76 509 lekë, pastaj të katërtët janë gjirokastritët; të pestët fierakët me 68 721 lekë; të gjashtët janë durrsakët; pastaj dibranët, beratasit, kuksianët. Vini re: në tri vendet e fundit, si më shumë të varfër, dalin korçarët, vlonjatët dhe në fund fare, në vendin e 12-të, janë elbasanasit (shih tabelën).

Por nuk mund të kuptohet pse në vitin 2007 durrsakët, tiranasit dhe gjirokastritët ishin në tre vendet e para si më “dorëlëshuarit” (shih tabelën poshtë). Me sa duket, në vitin 2014, durrsakët kanë filluar të “lidhin macet”, që i kanë “lëshuar” gjirokastritët “dorështrënguar”.

Pa vënë në dyshim përfundimet e INSTAT-it, që ka bërë anketime si OJQ-të në rastin e “exit-poll”-eve në zgjedhje, në të dhëna të tjera për nivelin e papunësisë, ndihmës sociale etj. Durrësi paraqitet me nivel më të lartë jetese në raport me qarqet e tjera. INSTAT-i mund të ketë shpjegimet e veta për metodologjinë, por nuk të bind kur statistikat i kryqëzon.

/th. m. DurresLajm”/