DURRËS, 25 janar 2015 – Nisma “Mbroje Mjedisin” po gjen çdo ditë e më shumë përkrahje nga personazhe të njohur të artit, kulturës, medies dhe sportit, njofton Ministria e Mjedisit. Mes tyre janë dhe disa durrsakë të famshëm, që punojnë apo banojnë në Tiranë.
I famshmi reper Noizy, që njihet si një nga njerëzit më bamirës, sidomos ndaj fëmijëve, ka zgjedhur moton:
“Natyra është muzikë. Mbroje mjedisin”.
Gazetarja e Top Albania Radio, Fiks Fare, TV publik Kozetë Kurti është më e lakonike, duke e kthyer “urdhëroren” në vetën e parë njëjës:
“Unë mbroj mjedisin”.
Një nga yjet e ekranit shqiptar, Florianë Garo, autore dhe prezantuese e emisionit “Jo vetëm modë” në TV Klan, ka këtë mesazh:
“Unë e vlerësoj bukurinë natyrore! Mbroje mjedisin”.
Floriana tregohet gjithmonë e kujdesshme për të promovuar mjediset e bukura dhe të pastra të vendit tonë, duke deklaruar për mediet:
“Unë jam rritur në një familje që e ka vlerësuar gjithmonë natyrën. Kur isha e vogël babai im gjithmonë na çonte për piknik (ecje në mal) mua dhe fëmijët e tjerë të lagjes, në kodrat e Currilave në Durrës. Edhe me familjen kujtoj se bënim shëtitje dhe piknikë në vende me natyrë të bukur si në: Dajt, Krujë, Gjirokastër, Llogara etj. Në Shqipëri ka shumë vende ku është ndërtuar keq dhe pa plan. Godinat e shëmtuara me baltën dhe plehrat rrotull japin një pamje tejet të trishtë. Ndiej keqardhje kur i shoh këto pamje, por shpresoj gjithmonë se gjërat do të ndryshojnë me brezat e rinj, që edukohen gjithmonë e më shumë me kujdesin dhe mbrojtjen e mjedisit”.
Fotot: Ministria e Mjedisit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





