DURRËS, 10 tetor 2013 – Nëse krutanët po përdorin kërcënimet me dinamit, të rinjtë durrsakë kanë “qejf” armët e ftohta për zgjidhjen e problemeve nga më banalet. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrësit njofton se më 9 tetor 2013, ora 21.00, u arrestua në flagrancë F. Sh., 29 vjeç, banues në Durrës, pasi, rreth orës 18.30, për motive të dobëta, në lagjen 15 ka qëlluar me thikë Xh. T.-në, 21 vjeç, i cili u plagos në shpinë dhe ndodhet në spitalin rajonal, fatmirësisht, jashtë rrezikut për jetën. Po kështu, më 9 tetor 2013, shërbimet e komisariatit të policisë Durrës arritën të identifikojnë autorin e dyshuar të ngjarjes së ndodhur më 4 tetor 2013 në lagjen nr. 18, ku mbeti i plagosur lehtë me thikë shtetasi E. C., 26 vjeç, banor i Spitallës. Si autor i dyshuar i ngjarjes u identifikua 19-vjeçari E. T., banor i qytetit të Durrësit, i cili u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





