DURRËS, 13 tetor 2014– Durrsakët kanë vazhduar përgatitjet për takimin e radhës ndaj Apolonisë, që do të luajnë në datën 18 tetor në transfertë. Edhe pse ka patur kohë për ta përgatitur këtë takim, trajneri Hasan Lika ka shtuar ritmin e përgatitjeve të ekipit të tij, duke kërkuar nga të gjithë lojtarët maksimumin. Lika po i kushton një vëmendje të madhe skema tekniko-taktike të ekipit të tij në mënyrë që të eliminohen gabimet që u panë në sfidën e javës së shkuar ndaj Kukësit.
Kjo për shkak se sfida ndaj fierakëve është mjaft delikate për durrsakët, të cilët rrezikojnë që të hyjnë në zonën e ftohtë të klasifikimit në rast se humbasin si dhe të fitojnë disa pozicione në mesin e tabelës në rast se arrijnë të fitojnë. Për ekipin e Likës, kjo është një ndeshje kyçe dhe për këtë arsye si drejtuesit e stafit ashtu edhe tifozët kanë kërkuar maksimumin nga skuadra e tyre në këtë përballje.
Ndërkohë lojtarët durrsakë janë koshientë për rrezikun që ka skuadra e tyre dhe kanë premtuar se do të japin maksimumin ndaj Apolonisë. Humbja nuk mendohet fare në radhët e tyre, ndërsa barazimi është një rezultat i cili do të mbante larg tyre fierakët. Nuk duhet të harrojmë se diferenca e Teutës me Apoloninë, e cila renditet në zonën e ftohtë është vetëm tre pikë.





