Konsumatorët durrsakë kanë "shtërnguar" rripat para çmimeve që pësojnë rritje nga dita në ditë në tregun e përditshëm të fruta – perimeve. Stina e pranverës sapo ka shënuar edhe daljen e prodhimeve vendase në tregun e përditshëm . Hyrja e prodhimit vendas, me çmime shumë të larta ka sjellë uljen çmimeve të produkteve të importit.
Kjo reflektohet tek konsumatori i cili shprehet se e ka të pamundur të blejë në treg perimet e stinës, me çmime nga 250 në 350 lekë të reja kilogrami.
Në këto kushte kur një kilogramë patëllxhana, speca apo bishtaja me çmime të cilat variojnë përtej të ardhurave të tyre, i shikojnë si mollë e ndaluar .
‘’As edhe një ditë të vetme nuk do të guxoja të blija këto prodhime me pensionin që marr shprehet një qytetar’’. Konsumatorët shprehen se nuk ka asnjë masë mbrojtëse nga ana e shtetit përballë çmimeve të larta një pjesë e të cilave rriten edhe artificialisht nga tregtarët. Konsumatorët durrsakë shprehen se çmimet rriten njësoj si në Europë, ndërsa pagat dhe pensionet shumë herë më të ulëta. Rreth 60% e mallarve të konsumit të përditshëm në treg, hyn nëpërmjet importit nga vendet e rajonit bëjnë me dije tregtarët.
Spinaqi e sallata “qelbet” në treg. Fermerët kapitullojnë nga kjo kulturë.
Duke marrë shkas nga mungesa e një sërë produktesh, apo servirja e tyre me super çmime, për konsumatorin në fillim të këtij viti kalendarik, çmimet që varionin nga 3 deri në 4 mijë lekë kg, për spinaqin dhe sallatën jeshile, shtyu fermerët të nxitonin që në këtë fillim pranvere të kultivonin këto kultura në fushat e tyre.
Ngrohja e motit solli favorizim të prodhimit, duke bërë që jeshillëqet të “përmbytin” tregun dhe çmimi të bjerë në minimumin historik.
Tregtarët deklarojnë se fermerët e zonës së Shijakut, Sukthit e deri më gjerë, kanë ulur çmimet, për të shitur prodhimet e tyre, por superprodhimi në fusha ka bërë që këto produkte të mbeten stok, e madje të kalben pa u shitur.
“Nga 300 deri në 500 lekë të vjetra për kg, e nuk i blen askush, është ky realiteti në treg”,- thonë tregtarët.
Përveç jeshillëqeve, spinaqit sallatës dhe qepëve të njoma, perimet e vendit shiten me super çmime.
K.H.