Durrës 18 shkurt 2014 – Durrsakët sërish të pafat pasi Teutës i ikën fitorja nga duart në minutën e 93-të, kur një pasim i gjatë nga porta e Orges Shehit ka shkuar në zonën kundërshtare, aty ku Arapi shokon tifozët dhe ekipin vendës, duke barazuar. Durrsakët kalojnë nga “parajsa” në “ferr”, sepse u ikën nga duart një trepikësh tepër i cmuar, i cili do t’i kishte pozicionuar të dytët në renditje dhe do ta kishte hapur jo pak kampionatin. Trajneri i Teutës Sorrentino i ka përgëzuar të tijtë për ndeshjen e zhvilluar, teksa ka evidentuar të metën kryesore mosshënimin e golit të dytë dhe të sigurisë, teksa rastet nuk munguan. Pas barazimit me Skënderbeun, italiani Sorrentino tha për mediat:
“Dua t’u bëj komplimente të dyja skuadrave, pasi kanë zhvilluar një ndeshje të madhe. Ndonjëherë qëllon që lojtarët të mos jenë në gjendjen e tyre më të mirë fizike, apo teknike, megjithatë sot gjyqtarët nuk ishin mirë. Duhet që në mesfushë të ishte akorduar një karton i kuq. Megjithatë, dua të komplimentoj lojtarët e mi për atë cka kanë treguar në këtë takim. Më duhet ta pranoj se mangësia e vetme që ne kishim në këtë ndeshje është fakti që nuk arritëm të shënonim një tjetër gol. Në pjesën e parë të takimit, portieri ynë nuk pati aspak punë. Shpresoj që gjithmonë ta kënaqim këtë publik të mrekullueshëm, të cilit dua t’i them sot se jemi duke programuar një të ardhme të shkëlyer për Teutën.”
A.D /agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





