Greqia, me paketat e ulura ndjeshëm, dhe resortet turke udhëheqin listën e destinacioneve më të preferuara për të kaluar pushimet
Në këtë kohë kur dëgjon të flitet gjithnjë e më shumë për krizën ekonomike, që ka pushtuar Europën dhe në veçanti vendet fqinje, shqiptarët vazhdojnë të shpenzojnë për udhëtime jashtë shtetit, duke prenotuar udhëtime turistike. Trendi i turizmit, këtë vit, është i përqendruar drejt dy shteteve: Turqia, qytetet dhe resortet turistike të së cilës prej vitesh tërheqin pushuesit shqiptarë si dhe Greqia. Fqinji ynë jugor këtë vit duhet atraktiv, jo vetëm për bukuritë natyrore të shumta, por dhe për paketat turistike, çmimi i të cilave është ulur ndjeshëm. Ndërsa shqiptarët “bombardohen” me ofertat për në Turqi, Greqi, Kroaci, Mal i Zi etj. paketat turistike për brenda vendit pothuajse nuk ekzistojnë. Vetëm një numër shumë i vogël pushuesish nga 5 deri në 10%, mbërrijnë në Durrës nëpërmjet agjensive turistike. Janë një sërë shkaqesh të ndryshme, problematika e të cilave ka mbetur e pazgjidhur në vite dhe lidhet me infrastrukturën turistike, jo të standarteve të kërkuara, e pakrahasueshme me qytetet e vendeve fqinjë. “Durrësi nuk mund të krahasohet as me Dubrovnikun, as me Budvën, Korfuzin apo Ulqinin”,- shprehen drejtuesit e agjensive turistike kryesore të Durrësit.
Nga intervistat me ta kupton se tashmë është krijuar një kategori shqiptarësh që udhëtojnë rregullisht jashtë shtetit në raste festash dhe ka një numër konstant të atyre që tashmë i kanë bërë traditë pushimet jashtë vendit. Sipas agjensive, prenotimi i udhëtimeve individuale apo në grup i referohet paketave turistike të vendeve të rajonit, pasi çmimet dhe kushtet që ofrojnë janë në standarte shumë më larta se ato që ofrohen në Durrës aktualisht. Kjo është dëshmi e kapaciteteve të pamjaftueshme që ka vendi ynë për të qenë atraktiv në çdo periudhë të vitit. Por nga ana tjetër, qarku i Durrësit ofron mundësi të pafundme zgjedhjeje për të kaluar pushimet, nga shtëpitë e bukura, komode e të pastra të zonave rurale e deri tek resortet turistike e hotelet buzë Adriatikut, me peizazhe të mrekullueshme, me kuzhinë tipike tradicionale që përdor akoma prodhime natyrale. Dhe jo vetëm kaq, zona e Durrësit ofron mundësi të tjera, pasi mund të vizitosh gjurmët e historisë së njërit prej popujve më të lashtë të Mesdheut, objektet e rralla arkeologjike dhe historike. Pjesa më e madhe e relievit është fushor e kodrinor dhe vetëm në një pjesë të Krujës relievi është malor duke arritur lartësinë prej 1224 metra.