Atmosferë e vakët Shën Valentini në Durrës. Përgjatë gjithë shëtitores “Taulantia” shumë të pakët ishin çiftet me lule në duar, ku dominonin kryesisht mimozat.

Megjithëse konsiderohet një festë për të rinjtë, duket se më shumë atë po e shijonin moshat e treta.

Një xhiro buzë detit, një drekë dhe një tufë mimoza duket se mjafton për t’i bërë të lumtur, njësoj si ditën e parë të njohjes.

“Eshtë shtuar më shumë dashuria tani në pleqëri, sepse fëmijët na kanë ikur jashtë. Ne e festojmë Shën Valentinin çdo vit, sepse është kujtim për ne. nuk bëhemi dot më të rinj. Përveç mimozave që blemë, do të ulemi të hamë edhe një drekë e më pas do të ikim në shtëpi”,– rrëfen për “DurrësLajm” një çift pensionistësh.

Ndërkohë, shitësit e luleve duken të zhgënjyer deri më tani nga porositë e pakta dhe në vlerë të vogël.

“Vitin e kaluar ka pasur më shumë shitje. Paradite nuk kam shitur asnjë buqetë lulesh, vetëm trëndafila tek, kjo edhe për shkak se kushtojnë më pak”,- thotë një shitëse ambulante.

Në shumë dyqane dhe lokale është vendosur dekori i festës, por atmosfera nuk është në ditët më të mira. Largimi i të rinjve dhe rritja e çmimeve kanë ulur ndjeshëm fuqinë blerëse.

Shitësit shprehen jashtë kamerës se krahasuar me vitin e kaluar, Shën Valentini ka ardhur me më pak shpenzime për qytetarët. Në një nga dyqanet përgjatë rrugës “Egnatia” është shitur vetëm një arush, ndërsa porositë për dekore numërohen me gishtat e njërës dorë.  

Si një risi për këtë vit. kompozimet e çokollatave janë më të preferuarat për moshat e reja.

“Kompozimet me çokollata kanë ecur, sepse janë një risi. Meqë janë të ëmbla preferohen shumë”,- tregon një shitëse ambulante , e pozicionuar pranë Torrës Veneciane.

Edhe nëpër restorante kërkesa për prenotime për darkë është shumë herë më e ulët sesa vitin e kaluar. Duket se durrsakët kanë vendosur të shpenzojnë pak për dashurinë këtë 14 shkurt.

M.B.