DURRES – Durrsakët kanë zhgënjyer sërish në shtëpinë e tyre, këtë radhë janë mundur nga Lushnja, e cila militon një kategori më poshtë. Ndeshja u fitua nga miqtë me rezultatin 1 me 2. Skuadrat kanë hyrë në fushë me qëllimin e vetëm për ta fituar ndeshjen, por kanë qenë miqtë ata të cilëve u ka buzëqeshur fati. Lushnjarët zhbllokuan rezultatin në minutën e 22 të ndeshjes me anë të A. Koreshit, ndërsa dyfishuan në ‘53 me të përhershmin Cenga.
Durrsakët arritën të shkurtonin diferencën me anë të sulmuesit Mancaku në minutën e 71-të. Vendasit patën mundësi ta kthenin rezultatin në favor të tyre, megjithatë, edhe pse rastet ishin të shumta për të dyja skuadrat, rezultati i fiksuar 1-2, mbeti i pandryshuar deri në fund të takimit. Ndeshja është ndjekur edhe nga presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, i cili u shpreh i kënaqur nga loja e skuadrës së tij në fund të takimit.
Ndeshja
Loja nisi vrullshëm nga të dyja skuadrat, të cilat pa kaluar as pesë minuta nga starti i takimit miqësor i vizituan portat respektive disa herë, por pa mundur të ishin konkrete. Madje ishin miqtë të cilët guxuan të parët, por pa mundur të konkretizonin dot. Lushnjarët krijuan disa raste dhe nuk vonoi zhbllokimi i rezultatit. Mbrojtja durrsake gabon në rreshtim dhe aty ka përfituar numri 14 A. Koreshi, i cili pasi është futur së bashku me topin në zonë dhe me një gjuajtje tejet të kalibruar e dërgon sferën atje ku gardiani i Teutës nuk kishte asnjë mundësi tjetër veçse ta shoqëronte me sy dhe ta nxirrte nga rrjeta.
Pas shënimit të golit vendasit kërkuan me ngulm të barazonin përpara se gjyqtari të vërshëllente për t’i dhënë fund pjesës së parë të takimit, por pavarësisht se krijuan disa raste nuk mundën të barazonin. Ndërkohë, miqtë gjatë pjesës së parë dhe pikërisht në limitet e fundit të saj, e kërcënuan disa herë portën e Hoxhës.
Pjesa e dytë nisi më mirë për durrsakët të cilët kërkonin me çdo kusht golin e barazimit, por teksa e kërkonin atë lanë hapësira në mbrojtje dhe u ndëshkuan për herë të dytë. Këtë radhë ishte Cënga, që nuk e fal asisin e dhënë prej autorit të golit të parë A. Koreshi, duke e çuar rezultatin në 0 me 2.
Ndonëse ishte një takim miqësor tekniku durrsak nuk preferoi të bënte eksperimente, duke lënë për një kohë relativisht të gjatë lojtarët e formacionit bazë. Durrsakët të gjendur në disavantazh përpiqen me të gjitha mënyrat për të ndryshuar rezultatin dhe e rrisin ndjeshëm nivelin e lojës dhe presionin ndaj kundërshtarit.
Pas disa sulmeve të njëpasnjëshme dhe mori rastesh të humbura, djemtë e drejtuar nga tekniku provizor Sedat Pajaziti arritën të shkurtojnë me anë të të përhershmit Bledar Mancaku, i cili tregoi se është një nga shtyllat kryesore të skuadrës bregdetare.
Sulmuesi pas një krosimi të Nikës dhe duke përfituar nga mosmarrëveshja e mbrojtjes kundërshtare në zonën e tyre, e dërgoi topin në rrjetë. Fill pas golit, durrsakët krijuan dhjetra raste të pastra për shënim, por nuk mundën t’i finalizonin dot, duke bërë që shifrat e mbërthyera në 1-2, në minutën e 71, të mbeteshin të pandryshuara deri në vërshëllimën finale.
FORMACIONET
TEUTA – S. Hoxha, Sheta, Jakupi, Sakaj, Stafa, Tahiri, Veliaj, Hyshmeri, Nika, Mancaku, Xhafaj: tr Pajaziti: u aktivizuan Dosti, Heminazëri, Muriqi, Deljallisi
LUSHNJA – Spaho, Byzhyti, Koreshi, Stejkovic, Ndoni, Cela, Cënga, Topi, Dervishi, Sula, A. Koreshi, u aktivizuan Gjyla, Grizhda, Ikonomi, Galica, Shima Licka. Tr. Artan Bano.
Golat: 22’a. Koreshi, 53’Cënga, 71’Mancaku.
Thanë pas ndeshjes
Bano, trajneri i Lushnjes: Ishte një ndeshje shumë e vështirë, ku fati na ka buzëqeshur neve. S igurisht që ishte një ndeshje miqësore, prej së cilës kërkojmë të shikojmë formën e skuadrës por edhe të çdo lojtari. Nga skuadra jam i kënaqur për nga mënyra se si luajti, ndërsa nuk mund të them të njëjtën gjë edhe për lojtarët në veçanti, nga një pjesë e së cilëve nuk jam i kënaqur, pasi bënë gabime.
Pajaziti, trajneri i Teutës: Zhvilluam një ndeshje relativisht të mirë dhe me nivel, por shpërdoruam shumë përpara portës. Skuadra ka nevojë të punojë më shumë dhe të kthehet në nivelet që ka qenë. Relativisht jam i kënaqur nga intepretimi që skuadra i bëri kësaj ndeshjeje dhe gjithashtu kam të njëjtin mendim edhe për lojtarët. Këta të fundit dhanë maksimumin e tyre, por nuk ishin të lirshëm në lojë. Unë besoj se skuadra do të reagojë dhe do të kthehet më e fortë se kurrë për të vijuar fazën e dytë.