Itali, 11 korrik 2014 – “Kemi zgjedhur edhe një të huaj”. Ishin këto fjalët e thëna me humor nga kryetari i bashkisë së Livornos, Filippo Nogarin, gjatë prezantimit të durrsakes Ina Dhimgjini, 28 vjeç, si një nga anëtarët e këshillit drejtues të pushtetit lokal në qytetin italian.
Ina Dhimgjini, 28-vjeçarja nga Durrësi që jeton prej 22 vitesh në Itali, punonte deri para disa ditësh avokate në Livorno, ndërkohë që po mbron doktoraturën për të Drejtën Evropiane pranë Universitetit të Venezia-s.
Por krahas këtyre impenjimeve profesionale, Dhimgjini është zgjedhur tashmë të kryejë edhe detyrën e Këshilltares së çështjeve sociale, shëndetësisë dhe politikave të banimit, një detyrë kjo mjaft e rëndësishme dhe shumë e vështirë në një qytet si Livorno.
Detyra e re duket se nuk e tremb aspak durrsaken e re, e cila është shprehur para të pranishmëve në ceremoninë e prezantimit të këshilltarëve se “Kur ishin 14 vjeç, gjyshërit tanë dilnin partizanë në mal, luftonin për një ideal”.
Bijë e një nënë shtëpiake dhe një babai sipërmarrës, por në vështirësi ekonomike për shkak të krizës, Ina shprehet se mosha e re nuk do të jetë aspak problem për të bërë siç duhet detyrën që i është besuar.
“Mosha nuk ka rëndësi kur ekziston vullneti për të ndjekur një ideal. Do të jem e impenjuar në gjetjen e zgjidhjeve për problemet, që në rastin tim do të kenë të bëjnë me shëndetin dhe mirëqënien e qytetarëve”,- tha Ina.
Filippo Nogarin, kryebashkiaku i ri i Livornos i përket partisë “5 yjet”, të komikut Beppe Grillo. Për të zgjedhur skuadrën me të cilën do të qeverisë në 5 vitet e ardhshme qytetin, ai vendosi të shpallë një konkurs për të përzgjedhur përmes CV-ve këshilltarët lokalë.
Ndër 970 CV që u dorëzuan dhe u ekzaminuan, mes të përzgjedhurave ishte edhe ajo e durrsakes Ina Dhimgjini.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





