BERLIN, 6 mars 2013 – Durrsakja Anila Wilms (Habibi) u vu në kërkim të një përkthyesi për romanin e saj të dytë, por askush nuk po e mbështeste. Ndaj i hyri vetë punës. Për këtë ajo u nderua me çmimin më prestigjioz për të huajt që shkruajnë në gjermanisht, njofton radioja “Dojçe  Vele” (Deutsche Welle).

Jo, një sukses të tillë ajo as që e çonte nëpër mend asokohe, kur "me penë të drithëruar", siç thotë vetë, i hyri punës kolosale të përkthimit në gjermanisht të romanit të saj të dytë "Vrasje në rrugën e Veriut" (Onufri, 2007). Përpjekjet për të fituar një përkthyes profesionist më parë i kishin dështuar. "M’u desh një vit për ta shkruar e dy a tri vjet për ta përpunuar", kujton ajo në një bisedë për radion “Deutsche Welle” zhvilluar në shtëpinë letrare të Mynihut. Berlinezja e rritur në Durrës ndodhej aty qysh më mars 2013 për t'iu prezantuar lexuesit bavarez si njëra nga fitueset e çmimit "Adelbert von Chamisso". Së bashku me të ishin ukrainasja Marjana Gaponenko (fituesja e çmimit kryesor) dhe polaku Matthias Nawrat, fitues i çmimit nxitës sikurse edhe Wilms.

15.000 euro për çmimin kryesor dhe nga 7000 euro për dy çmimet nxitëse jep fondacioni Robert Bosch për t'u dhënë zemër autorëve të huaj të shkruajnë në gjuhën gjermane. Fakti që një vit më parë ky çmim iu dha po ashtu një debutuesi shqiptar (Ilir Ferra,edhe ky nga Durrësi, “Rauchschatten”, edition atelier) tregon se kriteret për dhënien e këtij çmimi nuk janë politike, por në radhë të parë letrare. Për Wilms-in, që deri në nëntorin e vitit të kaluar nuk e dinte as që ekzistonte një çmim i tillë, ky shpërblim është më shumë se një surprizë e këndshme: "Një çudi mbi çudi: pasi mora çmimin, papritur ka edhe një faktor financiar që ishte vërtet si qershia mbi tortë", thotë ajo.

Në dhjetëshen më të mirë

Suksesin e parë të rëndësishëm debutuesja e pati arritur menjëherë pas daljes së romanit, në tetor 2012, në Panairin e Frankfurtit, si e ftuar në të famshmin "Divan blu" (gjerm: "Das blaue Sofa"), që e organizon kanali i dytë televiziv ZDF e ku gjatë ditëve të mëparshme kishin zënë vend figura të suksesshme dhe të shquara të letërsisë së sotme botërore si Herta Müller, Donna Leon e Ken Follet. Dy javë më vonë një sukses tjetër: libri hyn në listën e dhjetë romaneve policore më të mirë, të përzgjedhur nga e përjavshmja "Die Zeit", lexuesit e së cilës i përkasin kryesisht elitës intelektuale gjermanofone.

"Das albanische Öl oder Mord auf der Straße des Nordens", siç titullohet romani i saj në gjermanisht (në shqip: Nafta shqiptare ose Vrasje në Rrugën e Veriut),që u hodh në treg nga botimet berlineze "Transit" (fitues i çmimit Kurt Wolff 2011), nuk është një roman i mirëfilltë policor, paçka se ngjarja vërtitet rreth zbardhjes së një vrasjeje enigmatike që ndodh në prill të vitit 1924 në Urën e Drojës, në Rrugën e Veriut: Dy shtetas amerikanë gjejnë vdekjen, shoferi i tyre shqiptar plagoset rëndë. Cilat janë motivet që e kanë nxitur këtë vrasje që turpëron Kanunin e Malësisë? A kemi të bëjmë me një krim ordiner apo mos vallë pas tij qëndrojnë shërbimet e fshehta angleze e italiane që duan ta nxjerrin SHBA-në nga gara për koncesionet e shfrytëzimit të naftës në Shqipëri? Ndërsa populli, gazetarët, diplomatët dhe politikanët shtjellojnë teori të ndryshme në përgjigje të kësaj pyetjeje, lexuesit i zbulohet kapitull pas kapitulli, si gurët e një mozaiku, një tablo komplekse e Shqipërisë së periudhës së Ahmet Zogut, pak para se ky të përmbysej përkohësisht nga kundërshtari i tij kryesor Fan Noli.

Shëmbëlltyrë e Shqipërisë së sotme

Panorama është rezultat i një hulumtimi disavjeçar që Anila Wilms ka bërë nëpër arkivat e Tiranës, Romës, Londrës e Uashingtonit. Fillimisht materiali ishte paraparë të përmblidhej në një doktoratë pranë Universitetit të Lirë të Berlinit, ku ajo kishte përfunduar studimet për histori. "Por kur u gjenda para pirgut të dokumenteve, zbulova që aty mungonte diçka, mungonte elementi i subjektiv. Me fjalë të tjera, gjithë ky material kërkonte një tekst letrar. Kështu që në vend që të bëhej disertacion, u bë një roman dhe për këtë arsye sot nuk kam titullin doktor, por kam çmimin Chamisso", rrëfen ajo me një nënqeshje vet-ironike për transformimin nga historiane në romanciere.

Për jurinë e Chamisso-s libri është "… një episod ekzotik e burlesk i historisë së shtetit të ri shqiptar… e mund të konsiderohet edhe si një 'shëmbëlltyrë letrare bindëse e gjendjes së sotme të Shqipërisë'. Me të vërtetë, ngjashmëria me Shqipërinë e sotme është deri diku tronditëse: Politika e përçarë në dy klane të papajtueshme që pretendojnë se mbështesin demokracinë. Prej kësaj përçarjeje përfiton një grup i vogël bejlerësh me pushtet, i fokusuar në mbrojtjen e privilegjeve të veta, për të cilat nuk ngurron as të shesë pasuritë e vendit e as të bëjë aleanca me regjime fashiste si të Musolinit. "Kasta e bejlerëve, sado nacionaliste që mund të ishte, në thelb mbetej osmane. Është e natyrshme që këta që ishin dikur në shërbim të një figure perandorake, siç ishte sulltani, kërkonin ta zëvendësonin këtë me një figurë të ngjashme, dhe ky ishte Musolini, d.m.th. që për ta ekzistonte vetëm ky sistem të menduari", sqaron historiania Wilms.

Në kërkim të zanafillës

Por këtë mendësi Wilms, e cila në Shqipëri njihet edhe me mbiemrin e vajzërisë, Habibi, e njeh edhe nga prejardhja e familjes së saj. Është pikërisht figura e ungjit të së ëmës, Xhafer Ypi (1880 – 1940), ndër të tjera ish-kryeministër (1921 – 1922) e ish-ministër drejtësie gjatë pushtimit italian (1939 – 1940), tek e cila është orientuar ajo gjatë gdhendjes së personazhit fiktiv të ministrit të jashtëm Adnan bej Goricës, si përfaqësues i kastës së bejlerëve me pushtet. Që Wilms nuk mundohet aspak ta zbukurojë figurën e tij, ka të bëjë me gjykimin e saj të diferencuar prej historianeje, por edhe me aftësinë e saj reflektuese. E diferencuar tingëllon 41-vjeçarja edhe kur flet për armiqësinë latente që ekzistonte mes familjes së saj dhe regjimit në periudhën e socializmit: "Megjithëse xhaxhallarët e mi ose prindërit e mi nuk flisnin me mua për regjimin, unë e kam ndier gjithmonë që ne nuk jemi si të tjerët, jemi ndryshe, e që këtu ka diçka që nuk shkon."

Por Wilms mendon se është ende herët për të trajtuar përvojën e rinisë dhe fëmijërisë së saj në periudhën e diktaturës. "Për një gjë të tillë ende më mungon distanca", thotë ajo. Se si është të shkruash një libër autobiografik, ajo e ka provuar me romanin e saj të parë, "Pritje të Bukura", Onufri, 2000. Aty ajo përshkruan botën e brendshme të një gruaje të re në periudhën postkomuniste në Shqipërinë e viteve 90-të. Për të debutuar në tregun gjermanofon megjithatë priti me vetëdije derisa të përfundonte romanin e dytë: "Libri i dytë është një nivel shumë më i lartë edhe nga ana mendimore, edhe nga ana letrare. Është si të thuash shkalla tjetër, është një thellim i çdo gjëje, është një kthim pas në histori për të kuptuar rrënjët, për të kuptuar zanafillën e gjërave."

Berlini atdheu i ri

Këtë synon edhe projekti i saj i ardhshëm letrar, që, falë suksesit të librit të parë, tani po shkruhet drejt e në gjermanisht. Tema e romanit të tretë do të jetë sërish historike dhe i kushtohet Shqipërisë së dy dekadave më vonë: periudhës së pushtimit nga nazizmi gjerman. Sa për botën e brendshme të vajzës së re, që ende bulon brenda saj, Anila Wilms ka gjetur tashmë një mënyrë tjetër për ta shprehur: nëpërmjet bashkëpunimit me këngëtaren dhe kompozitoren kosovare me banim në Berlin, Zela Suka.

Në projektin e tyre më të fundit me titull "Zela", ku Wilms ka shkruar tekstet dhe është njëkohësisht producente, ato kanë trajtuar temën kryesore të përbashkët, përvojën e integrimit në një vend të huaj. "Në fillim ndjehesh i huaj, është ngricë, pastaj afrohesh, të ngrohet shpirti, zemra, jeta bëhet më e bukur, më me kuptim", përshkruan ajo etapat e këtij procesi. E meqë në një qytet metropolitan e kozmopolit si Berlini këto etapa përshpejtohen, dy artistet ia kanë kushtuar njërën prej këngëve pikërisht kryeqytetit gjerman. "Nuk mund të them se Gjermania është atdheu im i ri, por Berlini po. Është diçka më vete, dhe prandaj edhe kënga është si të thuash një deklaratë dashurie ndaj këtij qyteti të mrekullueshëm". /DW/

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/