Kanuni i Lekë Dukagjinit tashmë është përkthyer edhe në spanjisht dhe autore e saj është Dr. Erida Ajazi, një vajzë durrsake, dhe pinjolle e një familjeje të shquar për kulturë e patriotizëm në Durrës.

Kanuni u botua në vitin 1933 nga anëtarët e urdhrit katolik të themeluar nga shenjti Franceso d`Asissi, tetë shekuj më parë duke mbajtur që në atë kohë vlera të mëdha njohëse. E sot, përkthimi dhe botimi i tij në gjuhë të huaj, sikurse bëri doktore Erida Ajazi, bëhet akoma më i vyer…

Më poshtë, artikulli i shkruar nga Shpendi Topollaj në “IllyriaPress” për Dr. Erida Ajazin dhe veprën e përkthyer në spanjisht:

I pari mendim që më erdhi ndër mend, kur profesoresha e Universitetit Florida Southern College dhe ST. Peterburg College Florida – SHBA, Erida Ajazi më dhuroi librin e përkthyer prej saj në spanjisht “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (El Kanun de Lekë Dukagjini) me një parathënie të At Gjergj Fishtës, Botime EDFA 2016, ishte ai përcaktimi krejt qëllimkeq i akademikut serb Vladan Dordeviçit, kryeministër në vitet 1897 -1900, se shqiptarët janë gjakatarë, të çartur, të egër si kafshë, jashtëzakonisht injorantë, se “nuk dallonin dot sheqerin nga bora.” Këta “shpellarë modern” i kujtonin qeniet primitive, që flinin përmbi pemë, tek të cilat vareshin me anë të bishtit. Po ashtu më doli parasysh edhe ajo përgjigja e dr. Fox – it, pasi u pyet nga një shtegtar në qytetin e Podgoricës se ç`dinte për shqiptarët, ku i thoshte se “…ishin llumi i Ballkanit, pasardhës banditësh të ndjekur nga vende të tjerë të Ballkanit, një grup i keq, moralisht dhe fizikisht.”

Por shpejt u qetësova, kur u kujtova gjithashtu se kisha lexuar te “Europa e egër” i Bozidar Jezernikut se aty nga shekulli i XII – të, fjala caudatus u bë simbol për t`i përcaktuar anglezët si njerëz me bisht. Dhe në fakt, nja katër shekuj më vonë, Peshkopi i Ossorit qahej “Se asnjë anglez tashmë nuk mund të udhëtojë në një vend tjetër, në asnjë lloj rruge transporti publik, sepse në mënyrën më të paskrupullt i a përplasin në fytyrë, se të gjithë anglezët kanë bisht.”

Por u largova nga këto mendime kur thashë me vete se si mund të kanë qenë të parët tanë të tillë, kur kanë pasur mençurinë dhe kulturën të formulojnë dhe zbatojnë edhe kur nuk kishin qeveri të mirëfilltë, një kushtetutë si Kanuni që pa asnjë mëdyshje studiuesit e ndryshëm kanë rënë dakort se ishte një rregullator normash morale dhe juridike nga më të përparuarat në Evropën e asaj kohe. Dhe në qoftë se dikush e ka identifikuar “barbarinë” e shqiptarëve me “gjakun” – la vendeta, apologjia e Homerit shqiptar për Kanunin, e sqaron në mënyrë shteruese këtë problem, i cili në shtete më të konsoliduara ekzistonte, por kryhej nga shteti. Kurse kushtet social – politike të Shqipërisë që ka mbajtur mbi shpinë pushtues të ndryshëm, dhe ku vrasësi mund të strehohej në atë mungesë shteti të unifikuar dhe pa autoritetin e domosdoshëm, në besën e një Bajraku tjetër, gjakmarrja ishte e justifikuar ndaj kriminelit. Prandaj dhe duke folur për rëndësinë e botimit të këtij Kanuni, dhe që ende është në diskutim në është sistemuar nga Lekë Dukagjini apo ka ushtruar fuqinë e vet mbi vendet ku ai sundonte, shprehet se: “Me të vertetë se neper botim të “Kanunit të Lekë Dukagjinit” i bahet komit nji sherbim i dobishem, mbasi për ç`do nji Shtet, qi thotë, se do me jetue e me u zhvillue mbas parimeve t`arsyes e të hullis së gjytetnis së vertetë, ligjët gojdhanse e qi permlidhen në kanunin doketar të komit, kan nji randsi të madhe fort në vetvedi: e se prandej duhen pasë para sysh prej gjith njatyne, qi presin e zbatojn ligjët e Shtetit.”

Ajo që është jashtë çdo dyshimi është fakti se meritën e madhe të mbledhjes së këtyre normave që përbëjnë këtë Kanun (pra etimologjikisht: vizore për të hequr vija të drejta. gr.) e ka prifti etnograf nga Kryeziu i Pukës, At Shtjefën Kostandin Gjeçovi, atdhetari e prijësi i shquar i luftrave për liri dhe i vrarë më 1929 në Zym të Gjakovës, duke mbrojtur shqiptarët nga sulmet e shovenistëve serbomëdhenj.

Kanuni u botua në vitin 1933 nga anëtarët e urdhrit katolik të themeluar nga shenjti Franceso d`Asissi, tetë shekuj më parë dhe natyrisht që në qoftë se qe një vlerë e madhe njohëse atëherë, mendoni sesa i vyer bëhet përkthimi dhe botimi i tij sot në gjuhë të huaj, sikurse bëri doktore Erida Ajazi, kjo vajzë e dalë nga qyteti i Durrësit dhe pinjolle e një familjeje të shquar për kulturë e patriotizëm.

Populli nuk thotë kot se dardha nën dardhë bie. Ajo është mbesa e klerikut të shquar, Refik Ajazi, Qytetarit të Nderit të Kavajës, eruditit dhe studiuesit të letërsisë, njohësit të disa gjuhëve të huaja, dashamirësit të filozofëve të lashtë e bashkëkohorë, mësuesit dhe përhapësit të virtytit e sidomos të harmonisë fetare, luftëtarit antifashist dhe atij që nuk e thyen keqtrajtimet, poshtrimet dhe internimet e komunistëve. Për këtë figurë madhore, mjafton të lexoni librin monografik të porsadalë nga shtypi të autorit Qemal Vrioni, botim i “emar”, 2017.

KUSH ËSHTË ERIDA AJAZI

Erida, e lindur më 19 korrik të vitit 1987 në Durrës, kjo intelektuale me vullnet të hekurt dhe vlera të rralla, e ka kryer me rezultate të shkëlqyera shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti” dhe më tej ka studiuar në degën “Gjuhë, Letërsi Spanjolle dhe Qytetërim Hispanik” dhe atë angleze, në Universitetin e Tiranës, ku është vlerësuar me medalje të Artë. Po me medalje të Artë ka përfunduar dhe studimet për Nivelin Master, me specializim në “Përkthim – Letrar dhe Interpretim në gjuhët angleze dhe spanjolle”. Ajo, studionte dhe krijonte pareshtur; sikur ndiqte devizën e argjentinasit të famshëm Jorge Luis Borges që “Të jetosh nuk është e rëndësishme, të lexosh dhe të shkruash po”. Prandaj, duke parë aftësitë, përkushtimin dhe talentin e saj, ju dha bursë prej Qeverisë së populli mik spanjoll, për demokracinë e të cilit në vitet 1936 – 39 kishin dhënë kontributin e tyre edhe luftëtarët shqiptarë dhe pas vitit 2011 vazhdon të perfeksionojë dijet e saj në Universitetin Komplutense, Fakulteti i Filologjisë në Madrit, ku jo vetëm meriton sërish medaljen e Artë, por i bëhet nderi i dorëzimt të saj nga vetë Mbreti i Spanjës. Në këtë solemnitet, ka diçka që duhet shënuar, por dhe për të treguar dashurinë e saj për Atdheun: jashtë protokollit, Erida kërkon që krahas flamurit spanjoll të vendoset dhe ai shqiptar, kërkesë që i plotësohet.

Janë të shumta pjesëmarrjet e saj në konferenca dhe seminare ndërkombëtare, sikurse janë gjithashtu të shumta, studimet dhe përkthimet e saj, si fjala vjen “Kalku si një teknikë përkthimi e përdorur nga Fan S. Noli për përkthimin e njësive frazeologjike të pjesës së parë të Don Kishotit të Mançes” etj. apo përkthimi në gjuhën tonë i novelës “Alusema” të Auxi Barrios Rodrigues, fituese e çmimit prestigjioz Ramon J. Sender etj.

Po të shohësh Curriculum Vitae të saj, do ndihesh krenar që një vajzë shqiptare, ka arritur nivele të tilla akademike jashtë vendit. Një vajzë që kudo që të ndodhet kërkon të nderojë veten, familjen dhe Shqipërinë. Dhe Shqipërisë i ka bërë shërbimin më të madh me përkthimin dhe botimin në spanjisht të “Kanunit”, kësaj vepre monumentale që për ne shqiptarët ka pasur rëndësinë e ligjeve Manu, ato të Hamurabit, apo Justinianit për popujt e tjerë. E meqenëse jemi këtu, ia vlen të kujtojmë se Plutarku për ligjet e Likurgut (ndihmuar nga kretasi Talet dhe spartani Artmiadi) thotë: “Likurgu nuk i shkroi ligjet e veta, madje kjo gjë ndalohej në një prej urdhëresave të tij të quajtura “retra”. Ai mendonte se, në rast se parimet më të rëndësishme dhe më të përshtatshme për ta bërë një qytet të lumtur dhe të virtytshëm do të hynin në shprehitë dhe rregullin e jetës së qytetarëve, ato do të bëheshin të qëndrueshme dhe të patundura, sepse më fort se sa në detyrimin do të gjenin mbështetje në vullnetin e lirë,..” Dhe kur e pyetën një tjetër ligjvënës, Solonin (që u ndihmua nga kretasi tjetër, Epimenidi) nëse ligjet që kishte hartuar për athinasit, a qenë më të mirat, u përgjigj; “Më të mirat që ata mund të pranojnë.”

Tani kush mund t`i qortojë nenet e Kanunit tonë të shekujve më parë. Përse duhet të turpërohemi nga përmbajtja dhe rreptësia e tyre? Po si do vente halli i këtij populli sikur ai me vullnet të lirë të mos i kishte bërë të tijat kërkesat e këtij Kanuni? Ja këtë e ka kuptuar mësë miri e urta dhe e ditura Erida Ajazi.

Edhe të huajt që e kanë vizituar Shqipërinë e kanë kuptuar ndikimin që ka pasur ky Kanun në rritjen e vlerave dhe mbijetesën e popullit tonë. Dikur Justin Godartit i dilte nga zemra thirrja: “Vendi ynë, pa asnjë ngurrim ose mëdyshje, duhet t`i japë vendosmërisht të gjithë përkrahjen Shqipërisë… Nëse do të duam, Shqipëria do të jetë në Ballkan një element stabiliteti dhe përparimi… Është një vend i nderit, i miqësisë dhe i besnikërisë ndaj zotimeve që merr.”

Ndaj, kjo vajzë e kulturuar dhe e kultivuar, jo vetëm ndihet keq kur dikush nga bashkëkombasit e saj, sidomos politikanë, e prishin imazhin e vendit të tyre, por dhe bën të gjitha përpjekjet për ta lartësuar atë në sytë e mbarë botës, qëllim të cilit i shërben edhe përkthimi dhe botimi i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”. Ndaj dhe unë me shaka i thashë se me ty i vetmi gabim që ka bërë babai yt i nderuar, avokat Firdusi, është emri që të ka vënë, pasi në asgjë nuk të kujton hyjneshën e Grindjes. Emri yt duhej të ishte Irena, pasi ti me ëmbëlsinë, butësinë, sjelljen dhe punën tënde, të kujton vetëm Paqen. Romakët e vjetër thoshin “Jus est ars boni et equi”, pra “Drejtësia është arti i së mirës e i së drejtës”.

Ja ky ka qenë edhe qëllimi kryesor i Kanunit tonë, qëllim që nuk ka pasur ndryshim nga tërë legjislacioni i asaj kohe ndër gjithë popujt e qytetëruar. Pse e ka ndier kështu, ndaj dhe e ka kryer me kaq dëshirë këtë punë të mundimshme dr. Erida Ajazi.