Tiranë, 14 korrik 2014 – Në një seancë me dyer të mbyllura Gjykata Administrative ka rrëzuar padinë e ish-kryeprokurores Ina Rama ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke lënë në fuqi vendimin e KLD-së, i cili kushtëzon znj.Rama me konkurim nëse ajo dëshiron të rikthehet në sistemin e drejtësisë si gjyqtare.

Gjykatësi i çështjes së sotme Emiljano Ruli vendosi të rrëzojë kërkesën e Ina Ramës. Kjo çështje mund të përfundojë dhe në gjykatën e Strasburgut. Këtë e konfirmon avokati mbrojtës i znj.Rama, Fatmir Brraka, i cili e cilëson politik, vendimin e Gjykatës Administrative

Më 24 shkurt të këtij viti, Këshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzoi kërkesën e ish kryeprokurores për t’u rikthyer në detyrën e mëparshme duke argumentuar se ajo duhet t’i nënshtrohet konkurimit.

Në padinë civile të depozituar në sekretarinë e Gjykatës Administrative, ish-kryeprokurorja Ina Rama, bënte përgjegjës, kryetarin e KLD-së Bujar Nishanin, dhe nënkryetarin Elvis Cefa, për refuzimin e kërkesës për futjen e saj në punë, pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

Në padi Rama, pretendonte se është shkelur ligji për funksionimin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe më konkretisht neni 7, si dhe ligji për funksionimin e KLD-së. Rama pretendon se qëllimisht dhe në mënyrë të paligjshme është mbajtur në sirtarë prej një viti, kërkesa e saj për rifillimin e punës.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/