DURRËS, 15 dhjetor 2013 – Zija Saraçi, 65-vjeçari nga Durrësi, këngëtari i njohur i festivaleve të muzikës së lehtë shqiptare dhe në veçanti interpretuesi i “Këngës së marinarit”, po përjeton një rini të dytë artistike, sipas Gëzim Kabashit të ATSH-së. Në kohën kur bashkëmoshatarët e tij përgatiten për pensionin, i njohur në Shqipëri edhe si kantautor, ka rifilluar në Itali aventurën e lënë përgjysmë në atdhe. Që nga viti 2011 ka arritur të hapë dyert e tri veprimtarive të rëndësishme muzikore në Itali: festivalin “San Vensan” (Saint Vincent), festivalin “Castrocaro – Terra del Sole” dhe “Tour music fest”. Nga një seleksionim zanor në tjetrin Saraçi është përballur para mikrofonit me djem dhe vajza të reja këngëtare, më shumë se 31 mijë konkurrentë në të gjithë Italinë. Mësimet intensive në Akademinë e Këngës dhe perfeksionimi pranë emrave të njohur të muzikës italiane, i kanë hapur rrugë një ëndrre. Zija Saraçi beson dhe punon vazhdimisht, i bindur se në vitin 2015 mund të ketë edhe një arritje tjetër të karrierën e tij që nuk do të plaket: të këndojë në edicionin e radhës të festivalit italian të këngës, në Sanremo, citohet t’i ketë thënë ATSH-së.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/