DURRES, 28 mars 2013– Renato Arapi, mbrojtësi i Skënderbeut, pas operacionit në muskujt e barkut vazhdon terapinë riaftësuese. Gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm dhe mezi po pret të bashkohet me pjesën tjetër të grupit për të fituar sërish vendin e titullarit në formacion. Në një bisede mbrojtësi ka analizuar pragsfidën me Teutën, ndonëse do t’i duhet që ta ndjekë nga televizori. “Kam bërë përparime të shumta në rikuperimin tim. Pas disa ditëve që isha pushim absolut, tani kam filluar fazën e terapisë në pishinë dhe duket se muskujt e barkut po japin përgjigjen e dëshiruar.

Mund t’ju them se mjekët kanë bërë me të vërtetë një punë të mirë, ndërsa dua të falënderoj jashtë mase familjarisht presidentin Takaj dhe bashkëshorten e tij për gjithë mbështetjen që më kanë dhënë në këto momente të vështira dhe për interesimin e tyre të vazhdueshëm. Është me të vërtetë një ndjesi e bukur, kur vetë numri një i klubit interesohet për ty. Po numëroj ditët që duhen deri sa të bashkohem me grupin porse, me këto ritme të shpejta që po rikuperohem, mendoj se pas dy javësh do të jem duke u stërvitur me pjesën tjetër të ekipit dhe pas tri mund të jem në dispozicion të plotë të trajnerit Mirel Josa”.
 

Parashikimi – Duke vijuar më tej, Arapi ka bërë parashikimin e tij për sfidën e kësaj jave kundër Teutës. Megjithëse është ekipi i vendlindjes, ai tregon hapur se bën “tifo” për Skënderbeun. “Teuta është ekipi im i vendlindjes, klubi që më dha dijet e para në futboll. Është një skuadër me traditë në futbollin shqiptar dhe ka dy vjet që po bën një kampionat të shkëlqyer. Mirëpo, pavarësisht respektit që gëzoj për këtë skuadër, mund t’ju them me bindje të plotë se do ta ketë shumë të vështirë të marrë pikë në Korçë përballë Skënderbeut. ‘Djemtë e detit’ do të dalin të mundur nga ky takim, pasi bardhekuqtë gëzojnë një formë të shkëlqyer. Nuk besoj se ndeshja e sezonit të shkuar, kur Teuta na shkaktoi humbjen e parë në fushën tonë, do të përsëritet sërish, por them se do shërbejë si motivim për ekipin tonë për të kërkuar revanshin në këtë ndeshje”, – ka thënë Arapi.

Ky i fundit nuk mund të rrinte pa përmendur edhe vështirësinë që po përjeton, ndërsa po e sheh ekipin nga televizioni dhe nuk mund të japë dot ndihmesën e tij për të në këto momente vendimtare për titullin. “Është shumë e vështirë për mua që ta ndjek ekipin nga TV, pasi asnjëherë nuk kam qenë për një kohë të gjatë larg fushës. Për fat të mirë gjendja që gëzoj tani është më e mirë dhe më lejon që këtë takim ta ndjek nga stadiumi ‘Skënderbeu’. Do të kem emocione të mëdha gjatë përballjes, jo vetëm për faktin se luajmë kundër Teutës, por edhe sepse do të jem nga tribuna duke parë ekipin. Do të jetë një ndeshje e veçantë për mua, por mund të them me bindje se Skënderbeu e fiton këtë sfidë”, – ka përfunduar mbrojtësi Arapi.

Tomiç e Çaushaj

Bardhekuqtë, ashtu siç edhe ishte parashikuar, kanë vijuar dje me një seancë stërvitore. Ndeshja kundër Teutës po përgatitet në perfeksion, pasi trajneri kërkon që ta mbyllë atë me fitore. Ndërkohë që Tomiç dhe Çaushaj kanë vijuar me përgatitjet veçmas grupit. Në pritje që futbollistët e grumbulluar me Kombëtaren të kthehen, trajneri Josa ka provuar vendosjen në fushë të ekipit në mini-takimin e zhvilluar në fund të seancës. Gjatë saj ka marrë pjesë edhe Plaku, i cili ka formuar dyshen e sulmit me Pejiçin.
 

/ll.s.Panorama/