DURRËS, 15 dhjetor 2014 – Edhe një bir artisti durrsak me emër, Daniel Florian Vlashi, tërheq vëmendjen e shtypit spanjoll, njofton “Dyrrah”-un kolegu Gëzim Kabashi.
Violinisti 17-vjeçar Daniel Vlashi ka interpretuar këto ditë si solist me orkestrën simfonike të Galicisë, në La Korunja (Spanjë). Gazeta “La Opinion” i ka kushtuar një shkrim të veçantë këtij evenimenti, së bashku me foton e artistëve Florian e Daniel Vlashi, babë e bir, solistë të shfaqjes. Danieli tani studion në Lion (Francë), ku merr mësime çdo javë nga violinistja Marian Piketi.
Artisti i ri thotë për gazetën spanjolle “La opinion”:
“Festa e Belshazharit” nga Jan / Jean Sibelius (1865-1957) dhe “Poema hyjnore” nga Aleksandër Nikolajeviç Skriabin (1872-1915), dy nga veprat e koncertit, ishin një përvojë shumë prekëse. Punova shumë me ato vepra, madje edhe në orët që pritja avionin në aeroportin e Barcelonës për t’u kthyer në La Korunja. Kur e pashë veten në skenën e pallatit të Operës, bashkë me tim atin dhe shokët, me të cilët pata realizuar disa projekte me muzikë dhome, ndjeva që u njëmendësua një ëndërr, që e mbaja me vete që kur ishte i vogël.
Përveçse debutova me një orkestër profesioniste nën drejtimin e dirigjentit titullar Dima Sllobodeniuk dhe me orkestrantë me nivel shumë të lartë, ajo që ma bëri punën më emocionuese, ishte fakti se luajta në skenë me babanë tim dhe shokët e tij, të cilët i kam dëgjuar çdo të premte, që kur isha i vogël, e po ashtu isha i emocionuar, sepse po interpretoja para publikut të qytetit tim”.
Daniel Vlashi nisi të studiojë violinë në moshën 5 vjeç dhe pas 12 vjetësh ai debutoi me Orkestrën Sinfonike të Galicisë, duke luajtur bashkë me të atin, violinistin e njohur me emër ndërkombëtar Florian Vlashi, i cili tregon:
“Ishte një çast shumë i bukur, sepse Danieli e ka dëgjuar orkestrën simfonike që pa lindur, pasi e ëma shtatzënë luante në violonçel së bashku me ne”
m-përfundon tregimin e tij Daniel Vlashi.
Florian Vlashi dhe familja e tij, Rediana – violonçeliste, Danieli – violinist dhe Martini – muzikant i ri, jetojnë dhe punojnë në Korunja (Spanjë) që nga viti 1992. Floriani dhe familja e tij janë bërë të njohur në vendin tonë për organizimin e bienales “Netët e muzikës klasike”, që në gusht të vitit të kaluar festoi në Durrës edicionin e 6-të të saj.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





