·        Nju Jork Tajms: Kompani ndërtimesh luksoze po përdorin vepra origjinale për të joshur blerës

 

DURRËS, 15 qershor 2014 –  “Unë nuk gdhend materiale. Unë përdor materiale për të gdhendur dritën”, me këtë moto që e ka bërë të famshëm në botë deri në SHBA, skulptori durrsak Helidon Xhixha ka marrë porosi për vepra arti të personalizuara për blerës pasanikë në një godinë luksoze në Majami, njofton Nju Jork Tajms-i.

Si në Nju Jork ashtu dhe në Majami, artistët po shqyrtojnë mundësitë për më shumë porosi në godinat me bashkëpronësi (condominium) me cilësi të lartë e të shtrenjta.

Nju Jork dhe Majami me sa duket po përjetojnë një bum tjetër pasurish të patundshme luksoze.

Kështu, kompani ndërtimesh godinash me bashkëpronësi po bëjnë çmos të joshin blerës me xhepat plot, përfshirë dhe porosi veprash origjinale arti.

Sipas Nju Jork Times-it (New York Times), për shembull, në Majami, zhvilluesi i një godine me bashkëpronësi në zonën e plazhit në Collins Avenue ka porositur një skulptor të profilit të lartë, si Helidon Xhixha [lindur në Durrës në vitin 1970], veprat e të cilit janë shitur mbi 500 mijë dollarë, për të krijuar punime origjinale për çdo blerës në ndërtesë.

“Ata që investojnë në shtëpitë luksoze elitare gjithashtu priren të njohin mirë artin”, i tha Nju Jork Tajms-it Helidon Xhixha, një artist shqiptar që ka ekspozuar veprat e tij në Art Basel Miami Beach.

Kohët e fundit, zhvilluesit e Property Markets Group dheS2 Development kanë porositur Xhixhën të krijojë skulptura, të specializuara për shijet e secilit blerës në Muse, një godinë me 68-njësi me bashkëpronësi në lagjen Sunny Isles të Majamit, njofton gazeta më e famshme amerikane.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/