Një ditë pasi ngriti problematikën e burgut të Zaharisë ku vuajti dënimin për 3 vjet e 6 muaj, në shtëpinë e Sulejman Dervishit telefonoi presidenti Ilir Meta, i cili ishte njohur me historinë e 38-vjeçarit nga mediat.
38-vjeçari nga Durrësi i cili është invalid i grupit të parë, pa asnjë gjymtyrë funksionale, para përfundimit të lejes do të kthehej në burgun e sigurisë së lartë në Zahari të Krujës edhe për disa muaj të tjerë. 38-vjeçari u dënua për trafik të lëndëve narkotike pasi në automjetin me të cilin udhëtonin disa persona, u gjet një sasi prej 16 kg hashash. Ai e kishte lirimin me kusht e kishte kërkuar disa herë, me kërkesë edhe të mjekësisë ligjorë, të cilët dolën në konkluzion se në burg i rrezikohej jeta dhe burgu nuk plotëson ansjë kusht për trajtimn e personave të paralizuar.
Gjykatësja dhe prokurori që i dhanë lirimin ishin po ata që e kishin mbajtur në burg për vite me radhë. I kërkuan falje, por 38-vjeçari thotë se nuk mund t’i falë, pasi të mbijetonte gjallë në burgun e Zaharisë për 3.6 vjet është kohë mjaft e gjatë, e cila i shtoi edhe më shumë vuajtjet shëndetësore të tij.
Gjykata e Krujës me një seancë të përshpejtuar e nxori nga burgu, aq shpejt sa lirimi i 38-vjeçarit solli një dritë shprese për të dënuarit e tjerë në atë burg.
Durrsaku ka nisur një betejë të gjatë ligjore. Prej 6 muajsh që ka dalë nga burgu, ka përfituar vetëm një muaj kemp, ndërsa vijojnë zvarritjet burokratike. Ndërkaq, shteti i ndërpreu kempin pasi u dënua dhe për këtë i është drejtuar gjykatës.
I detyruar nga rrethanat, Dervishi nuk ka asnjë mundësi për të kryer asnjë prej shërbimeve personale, as fiziologjike, çka do të thotë se ai është i paaftë dhe duhet që 24 orë në ditë të jetë nën kujdesin e një kujdestari. Në burg ka humbur shikimin e njërit sy për shkak se nga kushtet mizerable, sëmundjeve të tij iu shtua edhe diabeti.
I gjendur në karrige elektike për shkak të paralizës, i kategorizuar si para e tetraplegjik në gjymtyrët e poshtme dhe të sipërme, prindi i dy fëmijëve të mitur, gjatë qëndrimit në burg pohon se ka parë ferr me sy pasi nuk ka as kujdesin më minimal mjekësor.
Dervishi ka dalë prej muajsh, por trauma me të cilën jeton është ende shumë e madhe. Ai pohon se aty ka parë ferrin mbi tokë, që sipas tij, brenda burgut çdo ditë ka dhunë e vetëvrasje nga ana e të dënuarve.
Çështjen e keqtrajtimit të tij në burg e ka dërguar edhe në institucionet e të drejtave të njeriut, të cilat kanë dalë me vërejtje për burgun e Zaharisë.
K.H.





