DURRËS, 19 korrik 2014 –  Ndonëse me çmim “të kripur” (5 mijë lekë), një fjalor biznesi i vitit 2001 i botuar në Durrës dhe i shtypur në Turqi, nuk gjendet më në librari, gjë që ka detyruar autorin, doc. Ilir Hoti, të bëjë redaktim dhe rishtypje me cilësi më të lartë në Itali.

Sikurse njofton shtypshkronja e famshme italiane Grafica Veneta, dekani i fakultetit të Biznesit në universitetin publik “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, doc. Ilir Hoti, ka porositur në këtë tipografi shtypjen e “Fjalorit enciklopedik anglisht-italisht-shqip për bankën, biznesin, bursën, ekonominë”.

Kjo vepër leksikografike është botuar fillimisht në vitin 2001, nga shtëpia botuese Star e Durrësit dhe ka pasur 1 546 faqe.

Në shtypjen e parë fjalori është redaktuar nga albanologu, prof. Shaban Sinani, dhe u shtyp në Turqi.

Vepra ka pasur sukses gjatë këtyre më se 13 vjetëve dhe është bërë një rrallësi bibliografike.

Sipas Grafica Veneta-s, autorit i janë dashur tre vjet punë e vështirë për redaktim, ndërkohë që libri në rishtypje do të ketë më shumë se dymijë faqe.

Grafica Veneta thotë se, me këtë kontratë të lidhur me autorin Ilir Hoti, hapet një kanal të ri shitjesh në Shqipëri për botimet shkollore.

“Me këtë transaksion / operacion ne mund të llogarisim zyrtarisht midis klientëve tanë të besuar edhe Shqipërinë, e cila karakterizohet nga ekzigjenca botuese kulturore cilësore”, – deklaroi presidenti i stabilimentit z. Fabio Franceschi.

/th. m. agjencia  lajmeve “Dyrrah”/