Një person nga Durrësi ka shkaktuar një aksident në Tiranë ditën e shtunë, duke lënë të vdekur një këmbësore.

Pas aksidentit të rëndë, policia bëri arrestimin në flagrancë të shtetasit E.G., vjeç 37, banues në Durrës.

Ai ka qenë duke drejtuar mjetin tip “BMW” në rrugën “Dritan Hoxha”, kur ka aksidentuar këmbësoren L.D., vjeç 56, banuese në Bulqizë.

Si pasojë, gruaja gjeti vdekjen.

Policia bën me dije se gjatë kontrollit, durrsakut iu gjet 1 dozë kokainë, e cila iu bllokua në cilësinë e provës materiale.

Kështu, 37-vjeçari do të përballet me drejtësinë për dy akuza, sipas neneve përkatëse 290/2 e 283 të Kodit Penal.