Tiranë, 2 qershor 2014 – Është e vështirë të besosh se Shqipëria, brenda 6 muajsh, mund të shndrrohet nga vend i dytë pas Gjermanisë, në Kolumbinë e Ballkanit. Kështu ka deklaruar sonte, nga studioja e “Ora News”, ish-Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, nënkryetar i FRD-së.
I ftuar tek “Intervista e mbrëmjes” për të dhënë gjykimin e tij lidhur me debatin politik për trafikun e drogës nga infrastruktura e Forcave të Armatosura, Oketa tha se “panorama e lëvizjeve politike në Shqipëri nuk shënon ndonjë ndryshim të madh, pasi arma më e madhe e aktorëve politikë që kanë dominuar skenën politike këto vite ka qënë përbaltja e kundështarit. Parë në këtë këndvështrim nuk është ndonjë çudi që kemi akuza përkundrejt opozitës apo mazhorancës. E veçanta është se tani është gjetur një akuzë e re që ka të bëjë me trafikun e drogës.”
Sipas Oketës, “Droga, si kauzë më duket krejt e stisur dhe nuk besoj se është shqetësimi kryesor i shoqërisë shqiptare. Është e vështirë të besosh se jo Shqipëria, por cilido vend brenda gjashtë muajsh, mund të shndrrohet nga një vend i dyti pas Gjermanisë në Kolumbinë e Europës. Strategjia që ka zgjedhur opozita nuk përbën risi për atë force; përbën risi për vetë profilin e z.Basha, formimin e tij si një njeri i shkolluar në Perëndim. Më bën përshtypje ky lloj opozitarizmi; më duket një kostum që nuk i shkon profilit të tij dhe me apo të drejtë, tek të gjithë krijohet përshtypja se ajo forcë politike nuk ka kryetar real z.Basha, por z.Berisha,”– nënvizoi ai.
Lidhur me raportin që paraqiti mazhoranca në Komisionin Hetimor, Oketa vuri në dukje se “Komisioni hetimor, bëri publike disa fakte, që unë besoj se do të ishin më korrekte, në të mirë të ndërtimit siç duhej të shtetit shqiptar, që të kishin ruajtur një farë konfidencialiteti ato emra dhe fakte t’i përcilleshin organeve të drejtësisë.”
Por, në këtë pikë, Oketa ngriti shqetësimin e njohur të drejtësisë në Shqipëri.
Sipas tij, “shpeshherë tregohet me gisht ose tregohet më shumë se ç’duhet edhe nga vetë Prokuroria, sepse lumi i akuzave dhe përbaltjes është shumë i madh dhe një institucion i vetëm nuk mundet ta zgjidhë gjithë këtë. Duhet që çdo institucion, legjislativi, ekzekutivi, media të bëjë detyrën e vet duke ruajtur balancën. Prokurorisë, edhe në rastet kur i shkojnë dosje, politika i gjen një artific, për të hedhur një shashkë të re, për të krijuar një qëndër të re të vëmendjes duke kërkuar të nisë hetimet kur pothuajse nuk ka fare të dhëna. Dhe në rastet kur ka të dhëna, është presioni i politikës që dëmton punën e drejtësisë. Mjafton t’i referohemi rastit më tipik dhe më flagrant, 21 Janarit. Prokuroria kërkoi të proçedonte, kërkoi të merrte në pyetje personat që ajo gjykonte se duhej të zbardhnin çfarë ndodhi në 21 Janar dhe ishte politika ajo që mori në mbrojtje ata persona dhe duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin dhe duke mos ia dorëzuar ato drejtësisë, së paku për një process normal hetimor. Mendo se çfarë mund të ndodhë për raste të tjera kur Prokurorisë i përcillen dosje, si rasti kur një kryetar bashkie u kallëzua nga prokuroria, por u çua gjysma e Parlamentit duke e vizituar në qeli sikur doli Nelson Mandela në një kohë kur është prokuroria ajo që heton në është i fajshëm apo i pafajshëm dhe jo politika.”
Në përfundim, nënkryetari i FRD-së vuri në dukje edhe njëherë se për opozitën, “droga, si kauzë më duket krejt e stisur dhe nuk besoj se është shqetësimi kryesor i shoqërisë shqiptare. Duhet të pranojmë se fenomeni i kultivimit të kanabisit ka ekzistuar, ekziston dhe do të ekzistojë, natyrisht jo në këto përmasa nëse ai vendoset të luftohet. Por, nuk i bën nder askujt prej politikanëve që të përdorë etiketime të tilla se Shqipëria është bërë një “Kolumbi” e Ballkanit.”
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





