DURRES – Durrsaku Orges Shehi është shpallur Lojtari më i Mirë i Kampionatit Shqiptar të Futbollit për vitin kalendarik 2012. 35 vjeçari, që aktualisht luan në ekipin e Skënderbeut, ka rrëmbyer çmimin, i cili i është dorëzuar gjatë mbrëmjes gala që Federata Shqiptare ka zhvilluar dje në kompleksin “Tropikal” në Durrës.

Një nga episodet më të shumëpritura të kësaj mbrëmjeje gala ishte ndarja e çmimit të futbollistit më të mirë të vitit 2012, i etiketuar edhe si “Topi i Artë” shqiptar. Votimi, si zakonisht, është organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe mbështetej te votat e 14 trajnerëve të Kategorisë Superiore dhe 14 kapitenëve të skuadrave të elitës së futbollit tonë. Pas numërimit të votave, ashtu sikurse pritej, çmimi i shkoi portierit të Skënderbeut, Orges Shehi.

Gardiani 35-vjeçar i kampionëve në fuqi të vendit konsiderohet si një nga pikat më të forta të ecurisë së suksesshme të Skënderbeut në sezonet e fundit, ku ka fituar dy tituj kampionë radhazi dhe në edicionin aktual udhëheq bindshëm Superioren, pas fazës së parë.

Në karrierën e tij, përveç Skënderbeut, Orges Shehi ka luajtur edhe për Teutën (ekipi i qytetit të lindjes), Bylisin, Vllazninë, Partizanin dhe Besën. Shehi ka luajtur vetëm një ndeshje me ekipin kombëtar.

Në këtë mbrëmje, Federata Shqiptare e Futbollit ka nderuar me titullin “Nderi i futbollit shqiptar”, ish-futbollistin e njohur Loro Boriçi. Ndërsa janë nderuar me titullin “Legjenda e futbollit shqiptar” dhe me pllakata “Mirënjohjeje” ish-futbollistët: Skënder Ibrahimi, Sami Shefa, Osman Reçi, Aurel Verria, Qemal Vogli, Skënder Halilui dhe Skënder Hyka.