Durrës, 21 korrik 2014 – Prej 8 vitesh ai është organizatori i Festivalit Ndërkombëtar të Dance-it Bashkëkohor. Në rrethet artistike është i njohur si një koreograf mjaft i talentuar. Bëhet fjalë për koreografin durrsak Gjergj Prevazi, që ka qenë i ftuar në emisionin “Ora Kulturë”, ne Oranews, për të folur për jetën e tij artistike dhe krijimin e kompanisë së parë të dancit modern në Shqipëri e quajtur “Albania Dance Theater Company”.
Gjatë intervistës, Prevazi është ndalur tek arsyeja që e shtyu t’i përkushtohet dancit, duke nënvizuar fakti që rrjedh nga një familje artistësh dhe për këtë të marrurit me art ishte një zgjedhje jo e rastësishme për të.
“Është një moment për çdo njeri ku ndalesh, reflekton dhe sigurisht inspirohesh drejt një profesioni që do të marrësh, në fakt ka qenë një krejt rastësi pikëtakimi im me kërcimin. Unë rrjedh nga një familje arti, im atë ka qënë muzikant. Që në vogëli e kam ditur që do merrem me art. Krejt rastësisht një mik i babait vjen në shkollë në qytetin e lindjes në Durrës dhe më zgjedh për të kërcyer. U përfshiva në një grup kërcimi në vallen popullore në moshën 10 vjeçar”,– thotë Prevazi.
Ndërkohë duke u ndalur tek fillesat e tij të vërteta në art, përfshirja në një projekt artistik, fill pas përfundimit të studimeve Prevazi kujton bashkëpunimin me Arben Imamin dhe Edi Ramën.
“Është koinçidencë, sepse unë sa kam mbaruar studimet jam ftuar të punoj në një shfaqje teatri. Është një kohë e bukur dhe tani që po zhvillohet biseda, sepse regjisori i shfaqjes ka qenë Arben Imami dhe skenograf ka qënë Edi Rama dhe Ilir Martini. Unë kam qënë një koreograf i ri, i saposhkolluar në atë kohë dhe jam ftuar të punoj si pjesë e stafit. Kjo ka qenë eksperienca ime e parë me teatrin. Pas këtij momenti unë kam punuar me 28 pjesë teatri”,- thotë koreografi durrsak.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





