8 maj 2015 –Ramazan Balla është emigrant model shqiptar. Punon në fabrikë me dokumente të rregullta. Bashkë me të shoqen Afifen, kanë rikonstruktuar banesën e vet stil kolonial. Dy vajzat ndjekin shkollën normalisht. Prej rreth 20 vjetësh familja Balla nuk ka shkaktuar asnjë problem të vetëm për shtetin Italian, apo qytezën e Fontanafredës në Provincën e Pordenones ku ato banojnë.
Ramazani nuk i ka rënë në qafë kurrë shtetit italian, por burokracia italiane i ka rënë në qafë Ramazanit, që nga viti 2008. Kompania bonifikuese Celina e Meduna në vitin 2008 i dërgoi Ramazanit një faturë 20 euroshe si pagesë mirëmbajtjeje për një kanal pranë banesës së Ramazanit. Z. Balla shkoi në zyrat e firmës dhe refuzoi pagesën e faturës për mirëmbajtje kanali, sepse kanali në fjalë nuk ekzistonte fare. Nga viti 2008 deri në 2014 firma nuk i dërgoi më fatura familjes Balla, por u kujtua vjet. Përsëri Ramazani u shpjegon gazetarëve italianë se nuk do ta paguajë faturën, të cilën e konsideron vjedhje, përderisa i kërkohet të paguajë faturë mirëmbajtje për një kanal, që nuk ekziston fare.
Mbetet për t’u parë nëse firma do ta hedhë në gjyq Ramazanin për mospagim fature apo do të korrigjojë gabimin e vet burokratik.
/Gj.Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





