DURRES – E ndërsa drejtuesit e Teutës po përpiqen për të gjetur një kandidaturë të mirë që do të drejtojë skuadrën, një lajm i mirë vjen nga merkato. Mbrojtësi Shaqir Stafa ka firmosur me bregdetarët një kontratë që do t’i mbajë të lidhura palët për më shumë se 18 muaj.

Mbrojtësi pas eksperiencës jo shumë të mirë tek Tomori i Beratit ka firmosur një kontratë me klubin durrsak. Pavarësisht se lojtari stërvitej prej kohësh në radhët e skuadrës “blu”, firma që e identifikon mbrojtësin si lojtar të skuadrës nënkampione është vendosur vetëm tre-katër ditë më parë. Një akord ky që me siguri i ka kënaqur të dyja palët.

“Jam shumë i lumtur, sepse jam kthyer në shtëpi. Jam kthyer aty ku u formova si futbollist. Tashmë mund të them se jam pjesë e skuadrës së Teutës, pasi së bashku me drejtuesit e klubit arritëm një marrëveshje, që na lidh për një kohë relativisht të gjatë. U jam mirënjohes drejtuesve që besuan tek mua dhe gjithashtu i falenderoj që më dhanë mundësinë të jem pjesë e skuadrës. Personalisht u premtoj drejtuesve dhe tifozerisë se do të jap maksimumin që skuadra të arrijë objektivat e saj”,- u shpreh i emocionuar mbrojtësi durrsak.