Policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë 33 vjeçarin Antonio Zani, I cili akuzohet se mëngjesin e sotëm ka goditur disa herë me thikë, duke lënë të plagosur rëndë të dashurën e tij 20 vjeçare A.D.

Ngjarja e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në lagjen nr.8 në Durrës.

Sipas burimeve policore “rreth orës 06:00, në lagjen Nr.8 Durrës,Antonia Zani ka tentuar të vrasë me thikë të dashurën e tij, shtetasen A.D. 20 vjeçe, banuese në Durrës.

Zani ka shkuar në banesën e  shtetases N.M.,  ku e dashura e tij ishte e punësuar si kujdestare nate për të zonjën e shtëpisë, e cila ishte invalide, dhe si rezultat i një konflikti çasti e ka goditur disa herë me thikë në trup.

Për pasojë i ka shkaktuar plagë të rënda dhe shtetasja A.D. ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë nën kujdesin e mjekëve.

Gjithashtu edhe autori i dyshuar ka marrë plagë në trup dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Rajonal Durrës".

Efektivët e Policisë, të cilët këqyrën vendin e ngjarjes dhe bënë mbledhjen  e provave materiale, identifikimin dhe kapjen e autorit gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale:

 

• mjeti i kryerjes së veprës penale, thika e cila plotësonte kushtet e armës së ftohtë;

• një qese me një sasi lëndë narkotike e  dyshuar e llojit Cannabis Sattiva dhe

• tre aparate telefoni celularë.

 

Sipas policisë, dyshohet se autori ka qenë nën ndikimin e lëndëve narkotike në momentin e kryerjes së veprës penale.

33 vjeçari Antonio Zani është një emër i njohur për forcat e rendit, pasi rezulton të jetë person me preçedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër jetës dhe lëndëvë narkotike.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale ”Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “ Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” parashikuar në nenet 76 dhe 22, 279, 283 të Kodit Penal.