Efektivët e policisë së Shijakut kanë zbuluar vjedhjen e një “Benz”-i kabriolet në pronësi të një durrsaku.
Mjeti që shihni në foto, në pronësi të shtetasit F.D. 38 vjeç, kishte qenë i parkuar pranë një pike karburanti në Maminas, në autostradën Tiranë-Durrës, në momentin kur u vodh.
Pronari ka bërë menjëherë denoncimin kur konstatoi se i kishin vjedhur makinën dhe gjithçka në këtë rast u zbulua pas pak orësh.
Policia ka bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar si edhe gjetjen e mjetit të vjedhur. Bëhet fjalë për një të ri nga Tirana, shtetasin Algert Prejsi 24 vjeç.
Autori e kishte parkuar “Benz”-in e vjedhur në garazhin e banesës së tij, në Tiranë, bën me dije policia.
Mjeti tip “Benz” është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, deri në përfundim të procedurave ligjore që më pas t’i kthehet të zotit.
Në Durrës, kohët e fundit janë shtuar në masë vjedhjet e makinave në zona të ndryshme, si në periferi e rrethina, ashtu edhe në qendër. Por rastet e zbulimit të autorëve apo edhe të gjetjes së automjeteve kanë qenë shumë të pakta, me përjashtim të rastit të fundit që policia e gjeti në kohë rekord.
S.L.





