Pasditen e djeshme iu dha lamtumira e fundit durrsakut Rei Hoxha, i cili ndërroi jetë në moshën 22 vjeç, pas një aksidenti rrugor në Aleksandri.
Ceremonia mortore, e cila nisi që nga shtëpia e tij në Aleksandri e më tej deri në banesën e fundit, ishte mbresëlënëse, saqë çoi në mbylljen e përkohshme të trafikut automobilistik. Njerëz të shumtë morën pjesë në funeralin e të riut shqiptar, ndarja nga jeta e të cilit ka prekur zemrën e mjaft shqiptarëve dhe italianëve të zonës. Me lot në sy, të gjithë u përshëndetën për herë të fundit me Rein, të cilin do ta kujtojnë si një “engjëll gjithmonë të qeshur”.
Ndërkohë, sipas asaj që shkruhet në një media lokale italiane, policia është duke hetuar për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e autorit që i mori jetën Rei Hoxhës.
Por, sipas të afërmve të të ndjerit dhe gjithë komunitetit shqiptar atje, autoritetet italiane janë munduar ta zbehin aksidentin fatal, për shkak se shoferi i dehur ishte djali i një ish-punonjësi policie, person me influencë në zonën e Aleksandrisë. Ata kërkojnë zbardhjen e ngjarjes që i ka revoltuar pa masë.
S.L.





