Nga Gëzim KABASHI

Orkestra e harqeve “Aleksandër Moisiu” u paraqit mbrëmjen e kaluar me koncertin e radhës, në sallën e teatrit me të njejtin emër në qytetin e Durrësit.

Dirigjenti Petrika Afezolli kishte përzgjedhur një program mjaft interesant, ku ndërthureshin vepra nga autorët vendas dhe të huaj.

Në formacionin me 23 komponentë dhe violinë të parë Ed Tereziun, dalloheshin edhe disa instrumentistë nga Tirana, bashkëpunëtorë të hershëm të artistëve durrsakë.

“Valle antike” nga kompozitori Vaso Tole solli në auditorin e mbushur plot, ritmet e disa prej valleve, jo vetëm nga Shqipëria e mesme, ku ishte mbështetur vepra e muzikologut akademik Tole.

Një atmosferë krejt tjetër përçoi “Moment of sadness (raining)”, një vepër mjaft e ndjerë e violonçelistit Mon Kuriçi, i cili vitet e fundit ka paraqitur edhe kapacitetet e tij si kompozitor.

Më shumë se sa “trishtimi” vepra e Kuriçit, falë edhe profesionalizmit të orkestrës, përcolli në sallë qetësinë e tingujve.

Dirigjenti me përvojë Petrika Afezolli, si përherë i njohu të pranishmit me autorin dhe veprën madhore në pjesën e fundit të programit.

“Serenata nr 1 në E-dur me 5 kohë” është kompozuar në vitin 1875.

Kompozitorit çek Antonin Dvorak i janë dashur vetëm dy javë që të përfundojë partiturën e një prej veprave më të njohura dhe të vlerësuara të literaturës muzikore.

Afezolli falenderoi gjithashtu dëgjuesit që e ndjekin rregullisht itinerarin muzikor të Orkestrës së harqeve, bashkinë e Durrësit për mbështetjen si dhe sponsorët, që po e kthejnë shikimin edhe nga muzika klasike.    

 “Serenata nr 1 në E-dur me 5 kohë” erdhi te spektatori si një vepër impenjative, e punuar me profesionalizëm dhe ndjeshmëri nga drejtuesi artistik dhe instrumentistët me përvojë.

Nga koha në kohë vepra njeh rritje, çka përcillet mjeshtërisht nga orkestra e harqeve të Durrësit, duke fituar në fund duartrokitjet e merituara të spektatorëve.

Bashkë me koncertet e orkestrës së përhershme “Aleksandër Moisiu”, në Durrës organizohen që prej dy dekadash edhe festivalet verore të “Muzikës së dhomes” dhe Bienalja “Netët e Muzikës klasike”.