Pakti “Green New Deal”, synimi pra që deri në vitin 2050 të 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian të bëhen të padëmshme për klimën, është projekti më i madh i Komisionit të tanishëm Europian, që drejtohet nga Ursula von der Leyen. Për të realizuar këtë synim nevojiten çdo vit investime deri një bilion euro.
Edhe në periudha të qeta kjo është një detyrë e madhe. Por kohët e tanishme nuk janë të qeta. Sulmi rus kundër Ukrainës u ka treguar europianëve se duhet të shpenzojnë më shumë për sigurinë. Përveç kësaj vështirësi të mëdha krijohen nga sektori i energjisë, inflacioni, mungesa e krahut të specializuar të punës dhe koniunktura e dobët.
Si mund të financohen të gjitha këto, kur arkat janë bosh dhe disa vende kanë hyrë në borxhe të mëdha?
Për 20 vendet anëtare të zonës së euros, që kanë euron monedhë të përbashkët, gjendja është edhe më e komplikuar. Sepse në këtë zonë rregullat janë të qarta: Borxhet duhet të arrijnë në vit maksimalsht deri në 60 përqind të fuqisë ekonomike të vendit (prodhimit të brendshëm kombëtar bruto), dhe kufiri maksimal për deficitin në buxheti qeveritar është 3%.