Dy 16-vjeçarë kanë rrëmbyer kurorën e “Miss & Mister Durrësi”, mes 50 të rinjve e të rejave që synonin fitimin e spektrit dhe kurorën e bukurisë durrsake.

Ata janë Xhulia Koçi dhe Fernando Liçaj që fitoren në këtë konkurs bukurie, por edhe bursën për të ndjekur studimet e larta në një universitet privat do t’i përdorin si një ogur i mirë që mund t’u hapë shumë dyer në të ardhmen.

Eventi i bukurisë durrsake, që këtë vit shënoi edicionin e 22-të ishte organizuar me mjaft përkushtim nga producentja Myzejen Konduri.

E palodhur për të organizuar çdo vit këto evente bukurie, Konduri shprehet se pavarësisht ngjarjeve të rënda që po u marrin jetën të rinjve, me aktivitete të tilla përcillet mesazhi se askush nuk mund t’ia prishë të ardhmen rinisë.

50 të rinj e të reja të shkollave të mesme publike dhe private në Durrës, përmes disa sfilatave me veshje të ndryshme, ekspozuan para jurisë profesioniste dhe të pranishmëve hiret e tyre.

Disa prej të rinjve garues u shpallën fitues të çmimeve si Miss & Mister Fotozhenia, Miss & Mister Antik etj.

Fituesit e këtij konkursi bukurie do të marrin pjesë në spektaklin kombëtar “Miss & Mister Turizmi”.

M.B.