Dy 17-vjeçarë korçarë rezultojnë të zhdukur që prej paradites së të premtes, ndërsa familjarët e tyre kanë kërkuar ndihmën e policisë, pasi dyshojnë se janë mbytur në rezervuar. Por ndërsa drama e familjeve vijon, ende nuk kanë nisur kërkimet me polumbarë për dy adoleshentët.

Sipas policisë së Korçës, dy të rinjtë e zhdukur janë Berti dhe Rei Tahillari, kushërinj me njëri-tjetrin.

Mësohet se djemtë janë futur për t’u larë në rezervuarin e fshatit Qatrom të Korçës, pasditen e djeshme, por askush nuk i ka parë të dalin prej andej.

“Kërkojmë të nisin menjëherë kërkimet”, thonë familjarët e alarmuar.

Rrobat dhe këpucët e dy të rinjve, të lëna pranë vendit të quajtur “Gropa e Danielit”, kanë përforcuar dyshimet se të rinjtë kanë humbur jetën në kënetë.

I pari që vuri re rrobat e dy kushërinjve buzë kënetës ishte shoku i tyre Nikolin Nasto, i cili kishte shkuar për të parë grepat që kishte hedhur për peshkim në kënetë.

 

NJOFTIMI I POLICISE

Më datë 19.08.2016, jemi njoftuar nga një telefonatë, se në fshatin Qatrom, shtetasit R.Tahirllari dhe B.Tahirllari (kushërinj) të dy rreth moshës 17 vjeç, janë larguar nga banesat respektive, mëngjesin e ditës së sotme dhe familjarët e tyre nuk kanë informacion për ta, se ku mund të ndodhen.
Nga të dhënat paraprake, u krijuan dyshime se këta shtetas, mund të jenë mbytur në vendin e quajtur “Gropa e Danielit”, në fshatin Qatrom.
Menjëherë u njoftuan shërbimet e Policisë, për të shkuar në vendin e ngjarjes, për të bërë krehjen e zonës dhe për të kryer kërkimet përkatëse.
Nga ana e grupit hetimor, po punohet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.